Mediet italiane raportojnë se Milan është duke menduar ta transferojë anësorin e Kosovës, Edon Zhegrovën, për ta zëvendësuar turkun zhgënjyes Hakan Calhanoglu.
Milani e ka vënë në treg Calhanoglu, i cili ka zhgënjyer në fanellën kuqezi që prej transferimit nga Bayer Leverkuseni këtë sezon, skuadër me të cilën bëri emër.
Leipzig ka trokitur në derën e Milanit me një ofertë të ngritur në vlerë 20 milionë euro për turkun, që sipas “Calciomercato” dhe “Sports Mediaset”, do ta pranojë ofertën e gjermanëve për Calhanoglu.
Shitja e turkut do ta detyrojë klubin nga Milano që ta gjejë një zëvendësues të tij. Drejtori sportiv Leonardo e ka identifikuar yllin kosovar të Genku, Edon Zhegrova, si zëvendësues ideal të turkut.
Zhegrova ka bërë 12 paraqitje për Genkun gjatë këtij sezoni, shtatë prej të cilave ishin në ligën Jupiler Pro League, nivelin e parë të futbollit në Belgjikë. Gjatë këtyre shtatë ndeshjeve, ai e ka shënuar vetëm një gol.
19-vjeçari nuk ka qenë pjesë e skuadrës së Genkut për asnjë ndeshje të Europa Ligës, përveç katër ndeshjeve që i kishte zhvilluar gjatë fazës kualifikuese. Në ato katër ndeshje, ai ka shënuar dy gola.