MENU
klinika

Ishte roja i Princ Vidit

Isa i shqiptarëve/ Si e vranë në Podgoricë

15.01.2019 - 18:34

Isa bej Boletini, i njohur edhe thjesht si Isa, lindi më 15 janar 1864 në Podgoricë dhe vdiq më 23 janar 1916.

Ai ka qenë figurë kombëtare dhe kryengritës shqiptar në Vilajetin e Kosovës, pjesëmarrës që në rini në veprimet e Lidhjes së Prizrenit. Më pas shërbeu si kryetar i rojeve të pallatit sulltanor, prej ku u kthye me grada e çifligje.

Pas ardhjes së xhonturqve dhe masave të tyre drejtoi kryengritjet e 1910-ës dhe atë të 1912-ës. U caktua ndër rojet e Princ Vidit gjatë sundimit të tij jetëshkurtër. Vritet gjatë një shkëmbimi zjarri në Podgoricë, pasi u vranë 17 bashkëluftëtarët e vet.

U lind në kullën e familjes në Boletin, pranë Mitrovicës, asokohe në sundimin e Perandorisë Osmane. Familja e tij i takonte vëllazërisë Maksutaj të fisit të Shalës. Ishin zhvendosur nga Isniqi i Deçanit për në Boletin për punë gjaku.

Pas ngritjes së Lidhjes së Prizrenit, Isa mori pjesë në betejën e Slivovës kundër forcave të rregullta osmane më 22 prill 1881. Manastiri i Sokolicës mbrohej nga Isa me të vëllanë e madh, Ahmetin. Pas ndodhive të kazanë e Mitrovicës kundrejt serbëve, Perandoria Ruse i vë kusht Stambollit hapjen e një konsullate ruse në Mitrovicë më 7 maj 1902.

Boletini shpalli se shtëpitë e mbarë shkjeve do të digjeshin po qe se do të hapej “kangjallozi i Miskovit në Mitrovicë”.

Raportohet se më 29 shtator iu dorëzua autoriteteve osmane dhe se do të falej për bëmat e tij të deriatëhershme. Më 24 nëntor mbërriti në Stamboll, ku u caktua në krye të dyfekxhinjve, siç ishte mënyra e qeverisjes e Sulltan Abdyl Hamidit për të bërë për vete krerë të zëshëm vendorë. Iu dha vendimi për të filluar punimet e Fabrika e Gurëve të Mullinjve në Boletin, si dhe iu akordua titulli bej.

Pasi shërbeu si kreu i dyfekxhinjve për katër vite, u kthye me çifligje që i ishin caktuar si shpërblim për shërbimin dhe grada ushtarake në milicinë vendore. U bë njeriu më i famshëm dhe më i pasur i Mitrovicës.

Gjatë Revolucionit Xhonturk më 1908, u bë një mbledhje e madhe e ulemave dhe parisë shqiptare njohur si Kuvendi i Ferizajt për të përkrahur rikthimin e kushtetutës, ndërsa Boletini me krerë të tjerë e shihnin këtë si shenjë pabesie ndaj sulltanit.

U tërhoq nga kuvendi para se të merrej ndonjë vendim, duke kuptuar dobësinë e pozitave të tij. Thuhej se sulltani i kishte kërkuar ndihmë Boletinit që të zhbënte kuvendin e mbajtur në Ferizaj. Ai ishte besnik ndaj sulltanit ndonëse më 1908 i kishte ndihmuar fillimisht xhonturqit.

Komiteti “Bashkim e Përparim” pas gati një muaji të kthimit të Kushtetutës vendosi t’i jepte vëmendje gjakmarrjes në Vilajetin e Kosovës dhe nga fundi i vitit masa të ashpra u morën nga vendorët. Nexhip bej Draga me anëtar të tjerë të parisë së Kosovës e shihnin Boletinin si pengesë dhe besnik të sulltanit dhe loboi për ndalimin dhe arrestimin e tij.

Draga donte vendosjen e rendit të ri ligjor, ndërsa Boletini donte privilegjet e vjetra caktuar nga koha e sulltanit.

Pasi ia arriti të ndërhynte përmes Komitetit të Selanikut që qeveria të merrte masa ndaj Boletinit, i dërguan një oficer të shoqëruar për t’i dhënë Boletinit një urdhër gjykate që t’i kthente të quajturit Haxhi Alisë çifligun që kishte qenë më parë i tij para se t’ia jepte sulltani.

Boletini përqeshi urdhrin, përzuri autoritetet që më pas e sulmuan. Isa mundi të ikte me njerëzit e tij, por kulla iu dogj. Mytesarifi i Pejës këshilloi autoritetet qendrore osmane se veprimet ndaj Isës do të çonin drejt ndonjë rrugëzgjidhjeje, por duhej bërë një demostrim force në mbarë vilajetin për të bindur krerët e tjerë vendorë të sistemit deruhdecilik.

Gjatë kundër-revolucionit të prllit 1909 Isa me krerë të tjerë i ofruan sulltanit ndihmën e tyre. Më 15 maj 1909 Xhonturqit, duke vazhduar mohimin e të drejtave kombëtare shqiptare, vijuan me fushata kundër atyre që nuk paguanin taksat e reja të caktuara në Stamboll.

Në Mitrovicë u caktua gjeneral i brigadës 18 Xhavid Pasha, ku zëvendësoi Shemsi Pashën e vrarë (vëllamë i Isës), për të përvijuar një vazhdë operacionesh ndaj malësorëve shqiptarë për dorëzimin e armëve dhe në veçanti për ta kapur.

Ishte ndër konspiruesit dhe organizatorët e kryengritjes së 1910 me Hoxhë Said efendiun, Nexhip bej Dragën, Hasan Prishtinën, Mehmet pashë Derallën, Rexhep Mitrovicën, Bedri Pejanin, Salih Gjukën dhe Isa Boletinin.

Isa me shumë krerë të tjerë të Pejës e Gjakovës mbajtën qëndrim ndaj trupave osmane, gjë që çoi drejt gjakderdhjesh dhe bombardimin të fshatrave shqiptare.

Pas revoltave të herëpashershme në Vilajetin e Kosovës, prillin e 1910 qeveria xhonturke vendosi krijimin e një korpusi ushtarak të posaçëm për “shtrimin” e Shqipërisë, në krye të të cilit u vu gjenerali Turgut Pasha.

Në bashkëpunim me Idriz Seferin dhe krerët shqiptarë, Isa i priu betejave të rënda në grykën e Kaçanikut, Zagovac, Çernalevë, Kabash e Virnaglava. Në Çernalevë kryengritësit e mbajtën ushtrinë osmane për dy ditë.

Ikanakët kosovarë gjetën strehim në Mal të Zi që herët me ndodhitë e 1909, ku Knjaz Nikolla shpresonte t’i kishte ata si ndihmë më pas gjatë zgjerimit në trojet shqiptare. Isa me të vetët ishin atje, u takua me krerë shqiptarë, merrte ndihma dhe armatim nga Mali i Zi duke e përdorur kështu si bazë.

Fillimisht Mali i Zi e shpërfilli praninë e tij, por pas kërkesave të ambasadorit osman e eskortoi larg kufirit.

Kryengritja e 1912 dhe Autonomia e Shqipërisë

Në pragun e revoltës, qeveria serbe punoi me disa banda kaçake shqiptarësh që të ishin të gatshme të vendosnin në vështirësi osmanët dhe me atë qëllim iu vardisën edhe Boletinit përmes organizatës terroriste ‘Dora e Zezë’.

Më 23 prill 1912 njerëzit e Hasan Prishtinës çuan krye në Malësinë e Gjakovës dhe u përhapën më tej. Më 20 maj së bashku me krerë të tjerë, Boletini mori pjesë në kuvendin e Junikut ku u dha besa dhe u nënshkrua një shpallje, për t’i shpallur luftë qeverisë xhonturke përmes kryengritjes së armatosur në Vilajetin e Kosovës.

Shqiptarët e Sanxhakut të Prishtinës të kryesuar nga Isë Boletini, Xhemal beg Prishtina dhe Beqir agë Vulçiterna i thyen turqit në Llap e Gollak dhe më pas zunë Prishtinën me pëlqimin e banorëve, përkundrejt komandantit vendor.

Krerët mësynë Shkupin, të cilin e zunë më 12-15 gusht të 1912. Së bashku me Riza Begin mendonte që të shkonte në Selanik për të liruar sulltanin dhe nuk ishte për autonomi, sipas Hasan Prishtinës.

Më 18 gusht Prishtina arriti t’i bindte krerët luajalistë që të binin në ujdi me autoritetet osmane për të drejtat sociopolitike e kulturore shqiptare. Boletini u paqtua dhe u kthye për në shtëpinë e vet pas premtimeve për autonomi vilajeteve shqiptare.

Në gusht, kolonel Dragutin Dimitrijević “Apis” i Dorës së Zezë, i dërgoi një letër Isës që me pasuesit e tij t’i fuste serbët në luftë kundër osmanëve.

Luftërat Ballkanike dhe Pavarësia Shqiptare

Në fillim të Luftës së Parë Ballkanike, ushtria osmane u mbështet nga vullnetarët dhe trupat e çrregullta shqiptare;

Autoritetet osmane furnizuan Isën me 65,000 armë për trimat e tij për të mbrojtur trojet shqiptare brenda Perandorisë Osmane, gjë që i zhgënjeu serbët. Në shtypin serb raportohej se gjatë dorëzimit të kryengritësve shqiptarë në Lumë, Isa Boletini me trimat e tij u arratisën.

Nga Dibra njoftoi për pjesëmarrjen në Kuvendin e Vlorës. Nga 8 deri më 11 të vjeshtës së tretë shkoi te Hasan bej Biçakçiu në Elbasan së bashku me Mehmet pashë Dërrallën dhe Ajdin bej Dragën. U nisën të nesërmen me Mid’hat bej Frashërin pasi pritën përfaqësuesit e Dibrës.

Më 29 të vjeshtës së tretë, Isa mbërriti në Asamblenë e Vlorës si përfaqësues i Mitrovicës. Nën drejtimin e Mehmet Pashës, së bashku me Riza Beun kishte detyrë të organizonte milicinë kombëtare.

Më 23 shtator shqiptarët e Dibrës u hodhën në revoltë kundër serbëve. Gjashtë mijë forca të udhëhequra nga Isa dhe Bajram Curri kaluan kufirin dhe pas një beteje, morën Dibrën, ku vranë disa oficerë dhe i dëbuan të tjerët nga qyteti.

Ushtarët që shpëtuan ia mbathën nga ana tjetër e lumit Radikë, më pas serbët nuk vonuan dhe u hakmorrën me mizori të skajshme, sidomos në krahinën e Lumës. Pas pak muajsh ai u largua nga Vlora sa qe pa dhënë dorëheqjen Ismail Qemali, mori një shtëpi me qira në Shkodër.

Për Isa Boletinin shkroi Aubrey Herbert “A meeting with Isa Boletini” (Një takim me Isa Boletinin) më 1912, monografia e Skënder Luarasit botuar më 1972 dhe e Fatmire Musës më 1987.

Ndër botimet enciklopedike shquhet zëri i tij në Fjalorin Historik të Robert Elsie botuar në gjuhën shqipe më 2011 si dhe në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të vitit 1985 dhe 2011, zëri “Isa Boletini” në Enciklopedinë e Jugosllavisë botuar më 1982.

Vepra e Isa Boletinit është nderuar në çdo kohë në gjithë Shqipërinë etnike.

Emrin e tij e mbajnë shkolla, rrugë, lagje e sheshe. Gjithashtu ka një batalion special të ushtrisë shqiptare, që u instalua në Irak, që mban emrin e Isa Boletinit.

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët

80 vite nga vdekja e “mbretëreshës së maleve”

Udhëtimi në Shqipëri, ekspozitë me fotot e Edith Durham!

Nga koha e luftës në majën e skenës shqiptare!

Reshat Arbana në gjurmët e një “best seller”-i!