Pikërisht në prag të Superkupës së Italisë, që luhet sot, në orën 18:30, në Jeddah të Arabisë Saudite, mes Juventus dhe Milan, Higuain thuajse konfirmohet i larguar.
Skuadra kuqezi, e drejtuar nga trajneri Genaro Gatusso ka bërë edhe foton zyrtare para kësaj përballjeje të ethshme me bardhezinjtë e Allegrit, por pikërisht këtu mund të ngremë dilema e dyshime mbi sulmuesin Gonzalo Higuain.
Ai është në qendër të merkatos së këtij dimri, teksa lakohet për një transferim të mundshëm te Chelsea, ku e pret krahëhapur ish-trajneri i tij, Maurizzio Sarri.
Nga ana tjetër, mediat italiane kanë shkruar edhe për zëvendësuesin e tij në “San Siro”, nëse argjentinasi vendos të largohet nga kuqezinjtë. Fjala është për Piatek te Genoa, sulmuesin polak, që ka mahnitur Serie A me golat e tij.
Për t’iu rikthyer sërish fotos, bie në sy mungesa e Higuain aty, krahas shokëve të tjerë të ekipit, stafit teknik dhe atij menaxherial e drejtues. Të jetë rastësi, apo mos vallë Higuain ka qenë “fotografi”?!
Mbetet të shihen zhvillimet në vazhdim, por deduksioni logjik në këtë rast të bën të mendosh se sulmuesi argjentinas e paska marrë rrugën e largimit…