MENU
klinika

Liridashësi Petro Nini Luarasi

Personalitet kombëtar në përkushtim të vendit të tij

20.01.2019 - 12:59

E vërteta bën fenë, dhe jo feja të vërtetën…ta dashurojmë dhe ta përparojmë gjuhën dhe kombin tonë, si të vetmen rrugë shpëtimi që na besoi Perëndia për provë të vlerës sonë midis kombeve të tjerë. Kush është frikacak kundrejt së drejtës bëhet tradhtar i mëmëdheut dhe i vetes së tij”, – do shkruante P.N.Luarasi tek “Mallkimi i shkronjave shqipe e çpërfolja e shqiptarit”.

Petro Nini Luarasi (1895-1911) martir i kombit shqiptar, martiri i gjuhës shqipe, “Mësues i Popullit” e “Nder i Kombit” njihet si veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare, mësues i shqipes dhe nismëtar i krijimit të shkollave dhe kishës ortodokse të pavarur shqiptare, publicist, poet e studiues.

Në zjarrin e luftës me pushkë e penë për çlirimin e atdheut nga pushtuesi dhe kleri shovinist, Petro Nini Luarasi lëshoi kushtrimin:

“Ta begatojmë gjuhën dhe kombin tonë me kulturë e qytetërim dhe atëherë do të shohim që gjithë sa folën liksht kundër gjuhës dhe kombit tonë do të turpërohen dhe si dylli përpara faqes së zjarrit do të treten prej nakarit…”.

Bir i vegjëlisë kolonjare, i edukuar me shqiptarizëm të kulluar, ai sakrifikoi çdo gjë për fatin e vendit, duke e bërë të famshëm emrin e Luarasit krahas të pavdekshmëve Frashëri, Negovani, Qiriazi, Butka etj.

Djalë i vetëm mes tri motrave, ai lindi në Luaras, arsimin fillor e kreu në Nokovë e më pas në Hotovë, ndoqi shkollën pedagogjike të Qestoratit në Lunxhëri të Gjirokastrës, ku mësoi privatisht shkrim e këndim shqip në shtëpinë e mikut të babait, atdhetarit martir Koto Hoxhi.

Me gjithë përndjekjet, vrasjet, burgimet, patriotët shqiptarë s’e reshtën asnjëherë veprimtarinë e tyre në shërbim të çështjes kombëtare.

Në Kolonjë, Petro N. Luarasi, jo vetëm që hapi shkolla shqipe, por nën shembullin e atdhetarëve Vangjel Meksi e Kostandin Kristoforidhi, filloi të përkthente librat kishtare dhe e bindi priftin e fshatit të mbante meshën në gjuhën shqipe.

Në gusht të vitit 1887, në Luaras shkoi vetë kleriku i lartë grek Kirilli, i cili e mallkoi Petron në emër të Patrikanës së Stambollit. Më 1892, kleriku tjetër i lartë grek, dhespoti i Kosturit, Fillareti, do të lëshonte një tjetër mallkim kundër gjuhës shqipe dhe mësuesit të saj trim Petro Nini Luarasi.

 

Si përgjigje Petro Nini shkoi mësues në fshatrat shqiptare të Bellkamenit dhe Negovanit, në vend të mësuesit të mëparshëm të tyre, patriotit Papa Kristo Negovanit, të masakruar barbarisht nga andartët shovinistë grekë dhe shkroi veprën e tij madhore, “Mallkimi i shkronjave shqipe dhe çpërfolja e shqiptarit”.

Kjo vepër është cilësuar nga historianët tanë të Letërsisë, e “denjë të qëndrojë krah për krah me veprat më të mira të Rilindjes Shqiptare dhe të humanizmit evropian”.

Petro N. Luarasi është një figurë e njohur dhe e respektuar edhe në diasporën shqiptare të Amerikës. Nga kjo diasporë kanë dalë me dhjetëra e dhjetëra figura të shquara, në të gjitha fushat e veprimtarisë njerëzore. Shoqëria “Malli i Mëmëdheut”, e themeluar prej tij më 6 janar 1905, në Bufalo, siç shkruan patrioti Mihal Grameno: “Ka luajtur rolin më të rëndësishëm në organizimin e shqiptarëve, para se të organizohej “Vatra””. “S’ka asnjë dyshim për vlerat e mëdha të Petro N. Luarasit në themelimin e shoqërisë “Malli i Mëmëdheut”, – shkruan Fan Noli. – Unë kam vajtur në Amerikë më 1906, i inkurajuar nga themelimi i kësaj shoqërie”.

Një veprim tjetër e shquan Petro Ninin nga të mërguarit e tjerë të Amerikës. Në kohën kur çeta patriotike e Çerçiz Topullit kishte kryer atentatin kundër bimbashit turk në Gjirokastër dhe endej grykave e maleve, e ndjekur nga ushtritë otomane, Petro Luarasi la librarinë, që i garantonte një jetë të rehatshme në Marlboro Mass dhe u nis menjëherë në Shqipëri.

Ai u bashkua me çetën e Çerçizit, për të mos u kthyer më në Amerikë. “Është e vërtetë, – shkruan një studiues i Petro N. Luarasit, – se edhe të tjerë kanë brohoritur Komitetin e Manastirit me anë artikujsh e thurje vjershash, por pak vrapuan për të marrë pjesë në çeta, si Petro Nini, i cili u tregua edhe në këtë rast konsekuent në rrugën e tij.

Duke u bashkuar me kryengritjen, u bë vetë shembull ndër ata që u predikonte dhe i nxiste për të bërë atë kurban të shenjtëruar që kemi detyrë për shpëtimin e mëmëdheut”.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN