Trupi i shqiptarit 33-vjeçar që u gjet i vdekur në burgun e sigurisë së lartë në Koridhalo të Greqisë do të vijë sot në Atdhe.
Viktima Bardhyl Tusha do të varroset sot në fshatin Shelegar të Sarandës.
Tusha është shqiptari i tretë që humb jetën në këtë burg vetëm brenda pak javëve, dhe i katërti që vdes në burgjet greke.
Kujtojmë që 33-vjeçari ishte dënuar për trafik të lëndëve narkotike.
Ai u gjet i vdekur në qeli, por shkaqet e sakta nuk janë bërë ende publike, pavarësisht se ai i është nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore.
Mjekët e Koridhalos bënë me dije se në trupin e shqiptarit s’janë gjetur shenja dhune dhe se dyshohet se vdekja ka ardhur nga abuzimi me drogën.