MENU
klinika

Njoftimi i klubit

Stadiumi, lajm i mirë për tifozët kuksianë

30.01.2019 - 13:10

Duket se tifozët kuksianë vitin e ardhshëm nuk do të udhëtojnë më për të ndjekur ekipin e tyre në ndeshjet që luhen në shtëpi.

Kjo sepse ka nisur studimi i fizibiliteteti në sipërfaqen ku do të ndërtohet stadium i ri i Kukësit. Një grup ekspertësh kanë nisur matjet sizmike për të përcaktuar qëndrueshmërinë e terrenit në rast tërmetesh.

Pas këtyre matjeve të dhënat do të dërgohen në laborator. Stadiumi i ri i Kukësit do të ndërtohet në bashkëpunim me FSHF-në dhe Qeverinë Shqiptare.

Kujtojmë se verilindorët i kanë luajtur takimet e tyre jashtë qytetit të Kukësit këtë sezon të Superiores. Më poshtë edhe njoftimi i plotë i klubit:

projekti i stadiumit te Kukesit
projekti i stadiumit te Kukesit

“Ka nisur studimi i fizibilitetit në sipërfaqen ku do të ndërtohet stadiumi i ri i qytetit të Kukësit. Një grup ekspertësh kanë nisur matjet sizmike për të përcaktuar sjelljen e terrenit poshtë në rast tërmetesh.

Pas kësaj, ekspertët do të përcaktojnë parametrat gjeoteknike të duhura për ndërtimin e stadiumit të ri që përfshin tribunën dhe ndërtesat e tjera.

Sa i takon rezultateve të punës së kësaj faze, ato do të dalin pas shpimeve të cilat do të bëhen në gjithë perimetrin e përcaktuar. Nga ana tjetër, mostrat e marra do të dërgohen në laborator të specializuar në mënyrë që të dhënat të jenë sa më të sakta.

Puna në terren po realizohet sipas standardeve amerikane dhe britanike. Ndërtimi i stadiumit të ri të qytetit të Kukësit do të bëhet në bashkëpunim mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Qeverisë Shqiptare.

Mungesa e një stadiumi me standarde bashkëkohore e ka penalizuar skuadrën e Kukësit që të zhvillojë ndeshjet në qytetin e saj.

Me përfundimin e ndërtimit të stadiumit të ri, përveç ndeshjeve kombëtare, skuadra jonë do të ketë mundësinë e zhvillimit të ndeshjeve ndërkombëtare në qytetin tonë.”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kryeministri ngroh tifozët

Edi Rama: Stadium model për Kukësin