MENU
klinika

Mungesa e laboratorëve

Pasiguria në ushqime, alarmojne ekspertët!

30.01.2019 - 21:28

Ekspertët ngrenë alarmin për situatën e krijuar në vend sipas vëzhgimeve të kryera, ndërsa shtojnë se në vendin tonë nuk funksionojnë shumë hallka.
Në Shqipëri nuk ka një laborator droge i cili të japë siguri për ushqimet. Bllokimi i 41.7 ton bananeve në portin e Durrësit, të nisura nga Costa Rika, ka kthyer dyshimet për cilësinë e ushqimeve në vend.

Përgjigja që vjen nga ekspertët nuk është aspak qetësuese, pasi ata thonë se jemi në një situatë alarmante.

“Jemi në një fazë alerti. Të gjithë jemi të shqetësuar për produktet që konsumojmë pikërisht sepse siguria ushqimore nuk është në nivelet e duhura”, shprehet Esmeralda Ballesha.
Ekspertja, Esmeralda Ballesha, shton se mungesa e garancisë së ushqimeve që përdorim çdo ditë vjen si pasojë e mosfunksionimit të disa hallkave, teksa shton se nevojitet edhe përmirësim i kuadrit ligjor.

“Kemi probleme edhe te pjesa e doganave, pjesa e importit. Kjo vjen për arsyen se në shtetin shqiptar pjesën më të madhe të produkteve që konsumojmë i kemi produkte importi, prandaj atje alerti është më i madh. Dhe ende kemi një pjesë të madhe të laboratorëve të pacertifikuar. Kemi probleme jo vetëm të kontrolleve që bëhen nga AKU por edhe monitorimin në vazhdimësi të atyre që kanë pasur probleme.

Duhet të kontrollohet gjithmonë origjina e tyre përsa është e mundur. Tek produktet që janë të konservuara, jetëgjatësia e tyre dhe shpesh herë duhet të shikohet dhe etiketa.
Ndërkohë Komisioni parlamentar i Ligjeve ka ngritur grupin e punës mbi propozimet e AKU-së për ndryshime në Kodin Penal”, nënvizoi ekspertja.

Amendimet parashikojne burg për ata që rrezikojnë shëndetin e konsumatorëve përmes shkeljeve të sigurisë ushqimore.