Roma dhe Milan kanë ndarë nga një pikë në supersfidën e javës së 22-të të Serie A pas barazimit 1-1 në Stadio Olimpico. Ishte një ndeshje me emocione të mëdha ku kanë shkëlqyet talentet e së ardhmes, Paqueta, Piatek dhe Zaniolo.
Vendasit e nisën shumë mirë sfidën dhe duhej një pritje fantastike e Donnarumma-s për të ndalur goditjen e Edin Dzeko.
Gjithsesi, dy blerjet e janarit të Milan, Paqueta dhe Piatek, kanë kombinuar për të shënuar golin e avantazhit. Ky ishte goli i tretë në dy ndeshje për Piatek. Ai ka shënuar golin e parë të sfidës në 8 ndeshje të këtij sezoni në Serie A. Një akullthyes i vërtetë.
Roma mundohet të kundërpërgjigjet dhe në fillim të pjesës së dytë barazon rezultatin me Nicolo Zaniolo. Ai është lojtari më i ri (19 vjeç e 7 muaj) që shënon tre golat e parë për Romën në Serie A që pas Francesco Totti-t.
Ndeshja ishte e hapur deri në sekondat e fundit, por ka përfunduar në barazim. Me këtë rezultat, Milan dhe Roma mbeten në vend të katërt dhe të pestë, me vetëm një pikë diferencë.