Hendëll sikurse dhe Bahu janë dy gjigantët e epokës baroke, por njëherazi dy mjeshtrit e muzikës klasike kanë edhe shumë pika të ndryshme nga njëri-tjetri. Së pari Bahu rrjedh nga një familje muzikantësh, kurse Hendëll është djali i një tregtari, i cili dëshiron që i biri të studiojë për drejtësi.
Xhorxh Frederik Hendëll lindi në gjermani në vitin 1685 dhe është një nga kompozitorët që la pas kryevepra të shumta të stilit barok.
Ndryshe nga Sebastian Bahu, i cili kish kaluar një jetë modeste dhe të mënjanuar, Hendëlli, filloi të frekuentonte jetën e salloneve. Kudo “saksoni”, siç e quanin në Itali, korrte sukses në organo, ashtu siç korrte Skarlati në klaviçembal. Aty kompozoi operën e parë në stil italian “Rodrigun”, që pati shumë sukses. Më 1710, Hendëll kthehet përsëri në Gjermani dhe bëhet kapelmaestër i Elektorit të Hanoverit (që më vonë u bë mbret i Anglisë me emrin Gjergj i parë). Por shpejt u largua për në Angli, ku kaloi pjesën më të madhe të jetës.
Opera italiane kish hyrë në Angli që në vitin 1705, prandaj publiku, që ish mësuar me këtë lloj opere, e mirëpriti Hendëllin e porsaardhur nga Italia, ku kish korrur suksese. Operat e tij “Rinaldi”, “Teseu”, etj. u duartrokitën gjatë nga publiku anglez. Ai u mbulua me nderime dhe në pak kohë fitoi aq autoritet, sa fjala e tij filloi të çmohej shumë nga dijetarët, shkrimtarët dhe aristokracia e Londrës. Si njeri me vullnet dhe autoritet, Hendëlli dinte të imponohej, aq sa arriti të bëhej kompozitor zyrtar i oborrit mbretëror të Anglisë. Edhe këtu nuk mundi t’i shpëtojë deri në fund sulmit të operistëve italianë, si Bononçini, Porpora, etj.
Hendëlli e ndjeu veten të mundur përsa i përkiste operas dhe vendosi të largohej nga fusha e betejës. Në prill të vitit 1737, i tronditur, u godit nga paraliza. Kaloi ditë të trishtuara nga kjo sëmundje që i pengoi çdo aktivitet. Pasi bëri një kurë, si për çudi u shërua, megjithëse zërat thonin se ajo që vërtet e shëroi ishte forca e tij e brendshme dhe vullneti i çeliktë. Tani ia filloi punës me vrull.
Ky mjeshtër frymëzimin e gjente tek ngjarjet e historisë së vjetër dhe tek Bibla (sepse edhe ai, ashtu si Bahu ishte ushqyer me edukatën fetare, dhe nuk mund të shkëputej prej saj). Ai merrte si subjekt Mitridatin, Jul Cezarin, Timurlengun ose Saulin, izraelitët në Egjipt, Judën Makabe ose Mesian. Por sado fetare që të ishin subjektet, ai gjithnjë vinte të mirën kundër të keqes.
Një forcë e çuditshme e përshkonte, aq sa arrinte të krijonte me një shpejtësi të llahtarshme. Brenda 20 ditësh arriti të kompozonte oratorin vigan “Izraelitët në Egjipt”, që është edhe një nga kryeveprat e tij. Ndërsa oratorin “Mesia”, që ka po kaq vlera, e kompozoi për 24 ditë. Kur mjeshtri i madh dirigjonte, u fuste tmerrin jo vetëm ekzekutuesve, por edhe dëgjuesve.
Trupi i tij i madh dukej sikur sikur përshkohej nga një korrent elektriku, paruka i dridhej dhe kur kori nuk ish shumë në rregull, kish një mënyrë të thirruri: “Korus!” që bënte të dridhej edhe publiku. Megjithë vullnetin e tij të çeliktë, ai gjithnjë largohej sa vinte re armiqtë e tij të gëzuar. Të njëjtën gjë bëri edhe në 1741-in, kur një grup kundërshtarësh u ngritën kundra tij, ai e braktisi Londrën dhe shkoi në Dublin, ku u oprit me entuziazëm.
Hendëll vis Bah
Po të krahasohen dy kolosët Hendëll-Bah, vërehet njëlloj ndryshimi: Xhoxh Frederik Hendëll jetoi afër publikut dhe gati gjithmonë në një qytet të madh, siç ishte Londra, duke u përzier kështu me vrullin e jetës, ndërsa Johan Sebastian Bahu bëri një jetë të mbyllur në qetësinë e katedralit të madh të Lajpcigut. Hendëlli i ekzekutoi veprat e tij përpara një publiku të madh, përpara spektatorëve të teatrit, kurse Bahu i ekzekutoi përpara publikut të kishës.
Këta dy kolosë vërtet bënë një punë që kishte të njëjtin qëllim, ishin prej të njëjtit vend dhe jetuan në të njëjtën epokë, por asnjëherë nuk u takuan. Në moshën 65-vjeçare, ndërsa shkruante oratorin “Jefta”, Hendëlli nisi të qorrohej, megjithatë asnjëherë nuk e la punën. Në atë gjendje kompozoi edhe oratorin e fundit “Triumfi i kohës dhe i së vërtetës”. Vdiq në vitin 1759, disa ditë pasi kish dirigjuar veprën e tij madhështore “Mesia”.
Rreth jetës private të Hendëllit dihet shumë pak, pasi nuk ka lënë as kujtime, as letra. Nuk u martua, pra nuk pati një rreth të afërt familjar. Tregojnë se kur ishte i ri, kish rënë në dashuri me një nxënëse, vajzë nga një familje e pasur, që nuk e lejonte këtë martesë. Por kur Xhorxh Frederiku u bë i famshëm, njerëzit e vajzës i dërguan lajm se ishin gati t’ia jepnin të bijën, por Hendëlli i indinjuar iu përgjigj: “Është tepër vonë”. Vdiq në vitin 1759.