Janë përcaktuar 8 ekipet që do të vijojnë garën në Kupën e Shqipërisë, pas ndeshjeve të kthimit, ku pati edhe përmbysje, një pjesë të pritshme.
Kështu, në Grupin A, Skënderbeu, fitues në fuqi i Kupës së Shqipërisë, ka bërë detyrën dhe është kualifikuar në fazën çerekfinale, pasi ka fituar edhe ndeshjen e dytë me Besëlidhjen.
Në Gjirokastër Luftëtari është ndarë në barazim pa gola, duke ju gëzuar fitores 0-3 në ndeshjen e parë me Egnatian. Partizani e kishte vendosur kualifikimin që në takimin e parë, por sërish e ka mundur Kastriotin.
Kamza ka fituar 1-0 me Vllazninë, duke u quajtur rezultat disi surprizë, pavarësisht se ekipi shkodran luan në Kategorinë e Parë. Vllaznia ka fituar 6 herë Kupën e Shqipërisë, ndërsa Kamza as në gjysmëfinale nuk është kualifikuar.
GRUPI A
Partizani-Kastrioti 3-0 (4-2)
Skënderbeu-Besëlidhja 3-0 (2-1)
Luftëtari-Egnatia 0-0 (3-0)
Kamza-Vllaznia 1-0 (1-2)
Në Grupin B, kualifikohet edhe Kukësi, që ishte mundur në Fier 2-1. Shkurtaj dhe Ethemi shënuan dhe verilindorët triumfuan në kthim 2-0, çka solli kualifikimin e skuadrës së drejtuar nga Armando Cungu.
Teuta nuk është kursyer me Lushnjën dhe ka qenë mundësia të rinjve për të treguar vlerat. Vercaj shënoi dy herë në pjesën e parë, ndërkohë që realizuan edhe Latif e Vila.
Laçi, që vjet shkoi në finale, është kualifikuar për më tej. Kurbinas përmbysën disfatën 2-0 të ndeshjes së parë me Bylisin. Shtubina, Toro dhe Gjoni shënuan tri herë në pjesën e parë dhe i dhanë kualifikimin bardhezinjve.
Interesante ka qenë sfida në Vlorë mes Flamurtarit dhe Tiranës. Vlonjatët kanë fituar 1-0, por nuk ka mjaftuar, pasi kishin humbur 0-2 në sfidën e para dy javëve në “Selman Stërmasi”.
GRUPI B
Kukësi-Apolonia2-0 (1-2)
Laçi–Bylis 3-0 (0-2)
Teuta–Lushnja 4-0 (3-1)
Flamurtari–Tirana 1-0 (0-2)
Ndërkohë, tashmë janë mësuar edhe duelet e turit tjetër, ku me fat duket Skënderbeu dhe Partizani, ndërsa spikasi dy sfidat e tjera, ku nuk ka favoritë. Ndeshjet çerekfinale do të luhen më 13 mars dhe 27 mars.
KAMZA-SKËNDERBEU
PARTIZANI-LUFTËTARI
TEUTA-KUKËSI
TIRANA-LAÇI