MENU
klinika

Kategoria Superiore, Java 22

Teuta përmbys Kukësin për 2 minuta

15.02.2019 - 20:09

Ndeshja e parë e javës 22 të Kategorisë Superiore ka dhuruar vërtet spektakël. Teuta-Kukësi thuajse i pati të gjitha. Plot tri gola dhe emocione përgjatë gjithë takimit, pretendime për penallti, përmbysje, duele të luftuara dhe gjithçka tjetër.

Që në sekondat e para, sfida nisi e vrullshme, me Teutën që mori frenat e lojës dhe qarkullimin e topit. Gjithsesi, djemtë e Cungut ishin shumë të rrezikshëm në kundërsulm.

E pikërisht në minutën e 37’ të takimit, Rexhinaldo kalon në avantazh verilindorët. Sulmuesi mozambikas godet shumë bukur nga jashtë zone, duke mposhtur portierin Hidi dhe duke zhbllokuar shifrat.

Kukësi e mbylli në avantazh pjesën e parë dhe gjithçka dukej në rrugën e duhur për ta. Por në pjesën e dytë, gjithçka foli për Teutën. Edhe pse ishin të rrezikshëm me sulmet e tyre, goli për djemtë e Shkëmbit po mungonte.

Megjithatë, në minutën e 69’, Progni barazon gjithçka. Një goditje dënimi e ekzekutuar me mjeshtëri nga mesfushori gjen trekëndëshin e portës së Frashërit dhe festë te Teuta. Kukësi duket i çoroditur në fushë dhe vetëm 2 minuta më pas, Teuta ndëshkon sërish, duke kompletuar përmbysjen spektakolare.

Është Arapi ai që shënon golin e fitores për Teutën, duke kompletuar kështu një ndeshje shumë të mirë të tij. Ky ishte goli i parë për mbrojtësin e ardhur në janar dhe një nga golat më të rëndësishëm të Teutës deri më tani këtë sezon.

TEUTA – KUKËSI  2-1

Progni 69′, Arapi 71′ / Rexhinaldo 37′

Teuta: Hidi, Frashëri, Osmani, Arapi, Hakaj, Sidibe, Progni (Bicaj 83′), Kallaku, Traore (Beqja 78′), Kamara, Bushiç Trajner: Bledi Shkëmbi.

Kukësi: Frashëri, Maliqi, Cuculi, Shameti, Rrumbullaku, Dzaria (Çyrbja 80′), Limaj, Rroca (Shkurtaj 75′), Et’hemi (Rama 74′), Kordeiro, Rexhinaldo Trajner: Armando Cungu.

Gjyqtarë:  Juxhin Xhaja, Dojando Myftari, Nuri Rrapaj, Nertil Bregasi

Kartonë të verdhë: Traore 62′ / Shameti 22’, Dzaria 53′, Cuculi 68′, Limaj 71′, Et’hemi 75′