Atletico Madrid ka treguar jo më kot se është fituesja e Europa League në fuqi dhe ekipi që ka kaluar në finale të Champions League dy herë në 4 vitet e fundit.
Të besuarit e Diego Simeones kanë fituar 2-0 në “Wanda Metropolitano” ndaj Juventus, duke hedhur një hap të madh në turin tjetër të Champions League.
Fitorja e Atletico-s ka ardhur në harkun kohor të pesë minutave. Në minutën e 78-të shënon Gimenez pas një rrëmuje në zonë, ndërsa Godin në minutën e 83-të ka dyfishuar shifrat.
Duhet thënë se pak para shënimit të golit, Atletico Madridit i është mohuar një gol të shënuar nga Alvaro Morata nëpërmjet VAR. Ky i fundit ka festuar më kot me tifozët.
Në hije Cristiano Ronaldo, shumë pak ka bërë në këtë sfidë, së bashku me Dybala dhe Mandzukic. Do të jetë një mission tepër i vështirë i Juventus në kthim për të përmbysur 2-0.
Në ndeshjen tjetër, Manchester City ka shënuar i pari ndaj Schalke 04, por në pjesën e parë gjermanët kanë përmbysur në shtëpi rezultatin me 2 penallti.
Anglezët kanë reaguar në pjesën e dytë, fillimisht duke barazuar, ndërsa me 10 futbollistë kanë arritur të fitojnë në fund 3-2, teksa shkojnë në ndeshjen e kthimit të qetë me këtë fitore.