Shqiptarët po bëhen faktorë edhe për futbollin në vendin fqinj. Maqedonia u beson shqiptarëve fatin e saj në pjesëmarrjen në Ligën e Kombeve, ku do të luajë dy ndeshje në shtator ndaj Gjibraltarit dhe Armenisë.
Trajneri Igor Angelovski ka bërë publike sot listën me 18 futbollistë, ku bie në sy prania e 5 lojtarëve shqiptarë, por edhe mungesa e dy të tjerëve, të cilët kanë qenë rregullisht pjesë e kësaj përfaqësueseje.
Në listë janë ftuar të zakonshmit Visar Musliu, Ezgjan Alioski dhe Enis Bardhi. Ndërkohë, në përfaqësuese është kthyer edhe Arijan Ademi, ndonëse pjesëmarrja e tij është në dyshim pas dëmtimit të pësuar mbrëmë me Dinamon e Zagrebit.
Emri i ri në listë është Egzon Bejtullai i Shkëndijës së Tetovës, i cili grumbullohet për herë të parë me të rriturit. Angelovski ka bërë të ditur se për momentin ka vendosur të lërë jashtë Ferhan Hasanin meqë sapo ka shkuar në Arabinë Saudite.
Ndërsa nuk ka dhënë shpjegime për mungesën e Besart Ibraimit, edhe pse ky i fundit po kalon një formë të shkëlqyer me Shkëndijën e Tetovës. Lojtari me shumë mundësi pritet të deklarojë fundin e karrierës së tij me Maqedoninë, pasi nuk preferohet prej kohësh nga Angelovski.