Ka përfunduar faza e dytë e Kategorisë Superiore, ku janë përcaktuar skuadrat që do të luftojnë për kreun e grupeve përkatëse, që do të thotë ngjitje në Superiore, dhe skuadrat që do të luftojnë për të mos rënë nga kategoria.
Në pritje të Besëlidhja-Korabi, që u shty për shkak se në Lezhë ishte një furtunë e vërtetë këtë të shtunë, klasifikimi i grupit A nuk pëson ndryshime, sa i takon ndarjes së pesë skuadrave të para nga pesë të dytat.
Vllaznia kryesuese ka luajtur në “Reshit Rusi” me fushë-krujasit, ndaj të cilëve ka vuajtur jo pak. Goli i Krymit në minutën e 62-të ka zhbllokuar dhe qetësuar kuqeblutë e Hasan Likës, që tashmë duhet të shohin nga “akti” i tretë i kampionatit, me synimin e vetëm: rikthimin në elitë.
Dinamo ka përjetuar makth në Pezë, ku ka luajtur me matjanët. Një gol për tri pikë i ka mjaftuar Burrelit, që gjithsesi, mbetet në pesëshen e dytë.
Vetëm koplikasit e kanë zhbllokuar që herët rezultatin e sfidës me Shënkollin, ndërkohë që Erzeni ka vijuar të luajë në fushë asnjanëse, në Rrogozhinë kësaj here, i dënuar nga Disiplina.
Barazimi është një tjetër hap fals i shijakasve në raport me Vllazninë, edhe pse tashmë pikët do të përgjysmohen.
GRUPI A
Veleçiku-Shënkolli 1-0
Ujkaj 3’
Erzeni-Vora 0-0
Vllaznia-Iliria 2-0
Krymi 62’, Hajdari 68’
Dinamo-Burreli 0-1
Ajazi 58’
Besëlidhja-Korabi (shtyrë)
Në Grupin B nuk ka falur Bylisi, që vazhdon të jetë një hap para kavajasve në ecuri dhe klasifikim. Mallakastriotët kanë mundur Orikun në transfertë.
Ndërsa verdhezinjtë e Maganit kanë djersitur shumë në Kavajë, deri në minutën e 80-të, kur Onuh ka realizuar dy gola të shpejtë, njëri pas tjetrit. Përballë kishin modestët e Turbinës.
Tomori iu është rikthyer fushave të lojës, pas bojkotit të ndeshjes me Bylisin, duke barazuar 1-1 me Elbasanin.
Nuk ka luajtur dot në Berat, por në Ballsh, pas dënimit të Disiplinës. Barazim në sfidën tjetër mes Egnatias dhe Apolonisë, një duel i luajtur në “Tofik Jashari” ky, për shkak se edhe fusha e rrogozhinasve është e dënuar.
Lushnja ka dalë e humbur nga qyteti i Lasgushit, por e sheh veten në pesëshen e parë të renditjes, në funksion të fazës së tretë.
GRUPI B
Besa-Turbina 2-0
Onuh 80′, 83′
Egnatia-Apolonia 1-1
Canka 31’ / Vladisavljevic 14’
Oriku-Bylis 0-1
Guindo 36’
Tomori-Elbasani 1-1
Dore 86′ / Hoxhaj 9’
Pogradeci-Lushnja 1-0
Topllari 82′