Një akt i turpshëm ndodhi në ndeshjen mes Partizanit dhe Flamurtarit, ku u ndërpre për disa minuta pas golit të barazimit të shënuar nga Andi Ribaj.
Disa tifozë hynë në fushë duke sulmuar fotografin e klubit të Flamurtarit. Vetë tigogrupi i Partizanit, “Ultras Guerrils” ka reaguar në lidhje me këtë incident, duke e konsideruar si një akt që nuk ka lidhje me tifogrupin.
“Incidenti i ndodhur në ndeshjen e djeshme nuk pasqyron sjelljen e përgjithshme të tifozërisë së Partizanit. Shkak i ngjarjes u bënë disa provokime, të cilat gjithsesi, nuk e justifikojnë kurrsesi sjelljen pasuese nga individë të caktuar.
Akte te tilla nuk i kanë hije tifozërisë sonë, dhe gjithmonë mundohemi t’i evitojmë. Grupimi ynë u kujdes që ai incident të shuhej sa më shpejt edhe pse ndodhi shume larg tribunës sonë, gjë që na e bëri të pamundur parandalimin.
Ne si tifozëri kemi dhënë shembull dhe do të vazhdojmë të japim shembull, duke iu përmbajtur kulturës sonë tifozërike. Një rast sporadik nuk duhet të përdoret për të etiketuar gjithë tifozërinë e Partizanit”, – shkruhet në njoftimin e tifogrupit.