Ka marrë një trajektore vërtet të habitshme e ardhmja e Mauro Icardit, që vijon të jetë jashtë grumbullimit me skuadrën e Interit.
Klubi i hoqi atij shiritin e kapitenit dhe nga raportimet e bëra është mësuar se ai nuk kthehet në fushë pa iu ridhënë shiriti.
Icardi ka kohë që qëndron jashtë fushe me arsyetimin se është i dëmtuar. Inter bëri një kontroll për të dhe rezultoi se sulmuesi nuk ka asnjë dëmtim. Një histori trilli, që në këtë mes nuk dihet se cila palë po gënjen.
“Corriere dello Sport” ka publikuar një lajm të bujshëm ditën e sotme, ku thekson se Icardi ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale në gju, për pasojë të mbyllë fazën e mbetur të sezonit.
Argjentinasi ankohet për dhimbje në gju dhe, sipas medies italiane, deri tani ai është mbajtur me injeksione, por dëmtimi nuk është zhdukur plotësisht.
Me situatën e krijuar 26-vjeçari nuk do rrezikojë më shumë me gjurin e tij dhe në ditët në vijim mjekët do të bëjnë një vlerësim të ri.
Ka mundësi reale që ata të japin “OK” për të kryer operacion në gju për Icardin, me qëllimin për të pastruar zonën e dëmtuar dhe të zhduket inflamacioni.
Nëse ish-kapiteni operohet do të duhet të qëndrojë të paktën për 2 muaj jashtë fushe dhe mund të kthehet i gatshëm për të luajtur vetëm në sezonin e ardhshëm.