MENU
klinika

Premier League, java 27

United-Liverpool pa fitues, Arsenal i 4-i

24.02.2019 - 17:14

Një pikë për United dhe Liverpool, as mirë dhe as keq, duke parë se ku është luajtur ndeshja. Nuk ka patur fitues në ndeshjen e madhe të luajtur në “Old Trafford” mes Liverpool dhe Manchester United, me sfidën që përfundoi 0-0.

Klopp nuk ka qenë i kënaqur me barazimin dhe në minutën e 72-të ka aktivizuar Xherdan Shaqiri-n, mesfushor sulmues, në vend të Jordan Henderson, mesfushor mbrojtës, me këtë të fundit që nuk ka qenë i kënaqur me lëvizjen dhe ka debatuar me trajnerin pasi ka dalë nga fusha.

Kjo do të mbahet mend si sfida e dëmtimeve, me katër zëvendësime të detyruara të bëra në pjesën e parë, 3 për United dhe 1 për Liverpool. Ndeshja e fundit e Premier League që ka patur katër zëvendësime në pjesën e parë është luajtur në shkurtin e 2009-ës (Wigan-Fulham).

Barazimi i regjistruar në “Old Trafford” ka favorizuar Arsenal-in, me “Topçinjtë” që kanë parakaluar Manchester United dhe janë ngjitur në vendin e katërt të renditjes pas fitores 2-0 të marrë në shtëpi kundër Southampton.

Një fitore e arritur pa ndihmën e Aubameyang, i cili e ka nisur ndeshjen nga stoli dhe ka luajtur vetëm në 15 minutat e fundit. Të dy golat e ndeshjes janë shënuar në pjesën e parë dhe janë realizuar nga Lacazette (6′) dhe Mkhitaryan (17′).

Sulmuesi francez është bërë lojtari i parë i Arsenal që shënon në katër ndeshje radhazi të kampionatit që nga Robin van Persie në marsin e 2012-ës (pesë ndeshje).

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN