U paralajmërua tri ditë më parë, ndërsa sot është bërë zyrtare. UEFA ka vendosur që faza eliminatore e grupit që sheh protagoniste Spanjën, Greqinë, Ukrainën dhe Kosovën të transferohet në Francë dhe të mos luhet më në Spanjë.
Kjo, si rrjedhojë e diskriminimit ndaj Kosovës që shteti iberik vazhdon të tregojë hapur. Siç dihet, Spanja nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe diçka e tillë i mban shumë të tendosura marrëdhëniet mes tyre.
Nëse faza eliminatore e Europianit U-17 të futbollit ishte parashikuar që të zhvillohej në Spanjë, konkretisht në qytetet e Alcoit dhe Alicantes, UEFA ka vendosur që të transferojë në Francë ndeshjet e grupit që do të vënë përballë njëra-tjetrës Spanjën, Greqinë, Ukrainën dhe Kosovën.
Arsyeja ka qenë se Spanja do të ishte dakord që të lejonte Kosovën të luante në fushat e Alcoit dhe Alicantes, vetëm nëse do të pranonin që të prezantoheshin pa asnjë prej simboleve të tyre kombëtare, pra pa flamurin në fushë dhe në uniforma, ashtu sikurse nuk duhej që të luhej himni kombëtar përpara sfidave eliminatore.
Në të tilla kushte, shteti kosovar e ka denoncuar këtë formë diskriminimi në UEFA, e cila u ka dhënë të drejtë atyre dhe menjëherë i ka mohuar Spanjës zhvillimin e kësaj faze eliminatore në shtëpinë e tyre.