MENU
klinika

Detajet

Ndryshon ligji/ Në vetting vetëm 300 drejtues të Policisë

01.03.2019 - 17:26

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj propozoi disa ndryshime thelbësore në ligjin e miratuar më parë, nga ministri i asaj kohe, Fatmir Xhafa.

Procesi i vettingut në Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës e SHÇBA pritet të nisë për pak ditë, por të vetmit që do të përballen me komisionin duket se do të jenë 300 drejtuesit e lartë.

Ky urdhër i dytë duket se e ka anuluar të parin. Me këto ndryshime, më shumë se 12700 punonjës Policie e Garde nuk do të kenë ‘ethet’ e vettingut. Ndryshe nga drejtuesit e lartë, vettingun e tyre do ta bëjë Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.

Me propozim të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave ka miratuar të mërkurën ndryshimet ne ligjin 12/2018 për vettingun në Policinë e Shtetit. Këto ndryshime parashikojnë që ky proces të kryhet për funksionet e larta drejtuese në Polici dhe në SHÇBA. Vetëm 300 drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, të cilët do të vlerësohen për 3 komponentët, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aspektin profesional, nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, i kryesuar nga Viktor Bërdo.

Projektligji me 10 nene, që pritet të votohet në Kuvend, shfuqizon nenet e ligjit për Komisionin Qendror të Vlerësimit dhe Komisionin Vendor të Vlerësimit, si dhe Sekretariatet Teknike të tyre. Ato zëvendësohen nga SHÇBA, që do kryejë verifikimin për të gjithë punonjësit e tjerë të Policisë, nga ata me gradën kryekomisar deri tek punonjësit e nivelit bazë me gradën më të ulët.

Sipas burimeve, pas kërkesës të ministrit Lleshaj, kryeministri Edi Rama ka urdhëruar akordimin e fondit për pagesën e detyrimeve të prapambetura për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit.