Aksionet e Policisë sot ishin zhvendosur në kryeqytet, ku janë zhvilluar kontrolle për personat në kërkim, për armët e zjarrit si dhe lëndët narkotike.
Pjesë e operacionit kanë qenë forcat “Shqiponja”, ato të Operacioneve Speciale në D.V.P Tiranë dhe Patrullat e Përgjithshme të Komisariateve të cilat kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të dy shtetasve dhe kanë shoqëruar në Komisariat 67 persona të cilët janë verifikuar me precedentë penal të mëparshëm.
Gjatë operacionit sipas njoftimit policor është bërë kontrolli i 67 mjeteve.
Njoftimi i plotë i Policisë:
“Plan masash për rritjen e parametrave të sigurisë. Kontrolle për kapjen e personave në kërkim, të atyre që qarkullojnë me armë zjarri apo që tentojnë të shpërndajnë lëndë narkotike.
Kontrollet nga “Shqiponjat”, Forcat e Operacioneve Speciale në D.V.P Tiranë dhe Patrullat e Përgjithshme të Komisariateve. Gjatë kontrolleve kapen dhe arrestohen në flagrancë dy shtetas, ku njëri u arrestua për “Armëmbajtje pa leje” dhe tjetri për “Prodhim dhe shitje lëndësh narkotike”.
Sekuestrohen armë zjarri “Pistoletë” me fishekë, tre pako me lëndë të dyshuar narkotike të llojit “Kokainë”, aparate celular dhe automjet.Shoqërohen për verifikim në Komisariatet e Policisë Tiranë 67 shtetas, me preçedentë penalë të mëparshëm si dhe janë verifikuar dhe kontrolluar 67 mjete.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në zbatim të Planit të masave për rritjen e parametrave të sigurisë, për parandalimin e ngjarjeve kriminale si dhe për evidentimin dhe goditjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo tentojnë të shpërndajnë lëndë narkotike, gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, kanë ushtruar kontrolle me pika të lëvizshme, në të gjitha rrugët e Tiranës.
Si rezultat i kontrolleve, nga shërbimet e rendit të Komisariati të Policisë Nr.3, në rrugën “Asim Vokshi” gjatë kontrollit fizik të ushtruar shtetasit A.C, 30 vjeç, banues në Tiranë, iu gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materaile, një armë zjarri Pistoletë.
Shtetasi A. C, u arrestua në flagrancë për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, parashikuar nga neni 278 dhe 283 i Kodit Penal.
Gjithashtu në bulevardin “Bajram Curri”, gjatë kontrollit të ushtruar nga Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në mjetin tip “Renaul”, që drejtohej nga shtetasi G. R, 29 vjeç, banues në Tiranë, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës 3 pako të ambalazhuar me natriban me lëndë të dyshuar narkotike të llojit “Kokainë”.
Shtetasi G. R u arrestua në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.
Janë sekuestruar në total :- armë zjarri “Pistoletë” me fishekë
– 3 pako të ambalazhuara me natriban me lëndë të dyshuar narkotike të llojit “Kokainë”
– 2 aparate celular
– automjet tip “Renault”
Kontrollet do vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Tiranë, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë.”