MENU
klinika

Vetëm 3.9% janë me probleme

Bankat, 510 milionë euro kredi jashtë vendit

05.09.2018 - 12:01

Kredia e dhënë jashtë vendit nga sektori bankar u frenua gjatë vitit 2017, por ngelet në përmasa të konsiderueshme. Sipas Bankës së Shqipërisë, pesha e saj ka rënë në 11% të tepricës së kredisë së sektorit bankar në muajin dhjetor të vitit 2017, nga 11.3% një vit më parë. Totali i kredisë për jorezidentët shënoi nivelin 64.4 miliardë lekë në fund të vitit të kaluar dhe u pakësuar me rreth 5% ndaj një viti më parë.

83% e totalit të kredisë për jorezidentët i takon bizneseve jashtë Shqipërisë. Pothuajse e gjithë kredia e dhënë për jorezidentët është në valutë, dhe kryesisht në monedhën euro. Në përgjithësi, kredia për jorezidentët është orientuar në afate më të gjata maturimi. Megjithë rritjen e shpejtë të kreditimit të jorezidentëve në katër vitet e fundit, për momentin, treguesit cilësorë të këtij portofoli nuk paraqisin shqetësime të mëdha. Raporti i kredive me probleme në këtë segment është mjaft i ulët, në nivelin 3.9%. Sidoqoftë, kreditimi në përmasa të mëdha për jorezidentët ka nisur pas vitit 2014. Duke qenë se bëhet fjalë për kredi relativisht të re dhe një portofol në rritje, cilësia do të duhet të testohet më vonë në kohë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia për jorezidentët përmban disa specifika që lidhen me aftësinë e bankave për të vlerësuar në mënyrë të përshtatshme rreziqet e huamarrësit që vepron në një juridiksion të huaj. Ndaj, vlerësimi i cilësisë së këtij segmenti të kredisë, kërkon vëmendje dhe monitorim të vazhdueshëm.

Në fakt, kredia për jorezidentët është kryesisht e përqendruara në pak banka të mëdha, që, gjatë viteve të fundit kanë kërkuar alternativa financimi në vendet e rajonit, duke pasur parasysh edhe kërkesën e dobët dhe problemet specifike të kreditimit të biznesit në Shqipëri.

Kredia për jorezidentët është e kufizuar pothuajse e gjitha në dy banka: pjesën dërrmuese e zë banka më e madhe në vend, Banka Kombëtare Tregtare, ndërsa një pjesë më e vogël i takon Credins Bank.

Kredia e BKT-Kosovë përbën mbi 35% të asaj që konsiderohet kredi për jo rezidentët nga sistemi bankar shqiptar. Por, përtej ekspozimit të filialit kosovar, BKT ka një pjesë tjetër të portofolit jashtë vendit, pjesërisht të akorduar për palë të lidhura brenda grupit të biznesit “Çalik”, grup që kontrollon edhe bankën më të madhe në Shqipëri. Për shembull, BKT ka kredi të konsiderueshme dhënë për GAP Insaat, kompani ndërtimi, GAP Pazarlama, kompani e prodhimit të tekstileve, të dyja pjesë e grupit Çalik në Turqi. Gjithashtu, BKT ka një ekspozim edhe te KEDS dhe KESCO, kompani sektorit energjetik në Kosovë, të kontrolluara po nga grupi Çalik. Portofoli i drejtpërdrejtë i BKT me jorezidentët është në përmasa po aq të mëdha se ai degës së Kosovës, çka bën që BKT të jetë banka shqiptare që mban pjesën dërrmuese të ekspozimit me kredi jashtë vendit. Pjesa e mbetur e kredisë së sistemit bankar shqiptar jashtë vendit i takon Credins Bank dhe është kryesisht e përqendruar në një projekt madhor të pasurive të paluajtshme në Kosovë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN