Sistemi bankar ka fshirë 51 miliardë lekë kredi të humbura nga bilancet në katër vitet e fundit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në gjysmën e parë të këtij viti vlera e kredive të fshira ishte 3.1 miliardë lekë.
Banka Qendrore vlerëson se përmirësimi në cilësinë e kredisë bankare vijon, ndonëse me ritme më të ulëta. Raporti i kredive me probleme ka mbetur pothuaj i pandryshuar gjatë këtij viti, në nivelin 13.3%. Mosndryshimi i treguesit gjatë periudhës, ka reflektuar rënien pothuaj me të njëjtën masë në përqindje të kredive me probleme dhe të tepricës totale të kredisë.
Sipas kontributit në rënien e vlerës absolute të kredive me probleme renditen shlyerjet, ristrukturimet e kredisë (kalimet në klasat performuese) dhe fshirjet e kredive të humbura.
Sipas Bankës së Shqipërisë, procesi i uljes së kredive me probleme lehtësohet nga rritja më e qëndrueshme ekonomike dhe përvoja e fituar e bankave lidhur me mbledhjen dhe ristrukturimin e tyre.
Nga ana tjetër, rënia e vlerave të fshirjeve mund të sugjerojë një rënie të ndikimit të këtij faktori në ecurinë e procesit të përmirësimit të kredisë dhe të theksojë nevojën për të rritur përpjekjet në drejtim të formave të tjera të zgjidhjes së kredive me probleme.
Gjithashtu, Banka Qendrore rekomandon që bankat të vlerësojnë me kujdes kreditë që mund të kenë në juridiksione të huaja, të cilat përballen, apo mund të përballen, me luhatshmëri të treguesve ekonomikë e financiarë. Këta faktorë mund ta bëjnë më sfidues procesin e uljes së kredive me probleme në afat të shkurtër.