Plot 20 ndeshje radhazi pa humbje dhe me kurorën e kampiones së botës në fuqi, pyetja që lind është: Cila skuadër do ta thyejë Francën? Gjermania shkoi deri në një barazim 0-0 në shtëpi, ndërsa sot ishte radha e Holandës të mposhtej nga francezët.
Franca fitoi 2-1 në Nice, duke konfirmuar ritmin e mirë dhe duke kryesuar Grupin 1 në Ligën A të Nations League. Asnjë ndryshim nga Kupa e Botës në përbërje dhe vlen aksioma: Formacioni fitues nuk ndryshohet!
Kylian Mbappe shënoi golin e parë për ekipin e Deschamps, pas çerekore lojë, ndërsa Ryan Babel barazoi për Holandën në minutën e 67-të.
Gjithsesi, kur kishin mbetur edhe 15 minuta, “gjelat” e gjetën golin e fitores me golin e shënuar me kokë nga Olivier Giroud, me një kthesë fantastike nga brenda zonës.
Në ndeshjet e tjera të Nations League, këtë herë për Grupin 3 të Ligës C, Qipro fitoi 2-1 ndaj Sllovenisë. Ndërkohë, për Ligën D, Liechtenstein fitoi 2-0 ndaj Gjibraltarit.