MENU
klinika

13.4% për korrikun

Kreditë me probleme “të ngrira”

07.09.2018 - 15:17

Kreditë me probleme kanë ngelur në vendnumëro. Lajmi i mirë është se ato më fund janë stacionuar në nivele më të pranueshme, por nga ana tjetër bankat nuk po arrijnë ta ulin më tej këtë tregues që nga fundi i vitit të kaluar. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të korrikut, raporti i kredive me probleme ishte 13.4%, me një rritje të lehtë nga niveli 13.3% i muajit qershor.

Krahasuar me një vit më parë, raporti i kredive me probleme është ulur me rreth dy pikë përqindje. Ndonëse niveli i kredive me probleme ngelet ende i lartë, përpjekjet e viteve të fundit kanë dhënë rezultate të mira dhe ky tregues ka zbritur në nivelet e vitit 2011. Rënia ka ardhur nga nxjerrja jashtë bilancit e kredive tashmë të humbura, nga përdorimi më efikas i instrumentit të ristrukturimit dhe nga një përmirësim i pjesshëm në procesin ligjor të ekzekutimit të kolateralit. Një ndikim ka dhënë edhe cilësia më e mirë e kredisë së re dhe qasja shumë e kujdesshme e bankave gjatë viteve të fundit. Megjithatë, problemi ngelet rritja ende e pamjaftueshme sasiore e portofolit të kredisë, çka do të ulte peshën specifike të kredive problematike ekzistuese.

Ndërkohë, së shpejti, kredimarrësit që kanë ekspozim në më shumë se një bankë, për të paktën 100 milionë lekë do të jetë subjekt i rregullores së re të Bankës së Shqipërisë për trajtimin jashtëgjyqësor të klientëve në vështirësi financiare. Kjo rregullore do të jetë thelbi i qasjes së ashtuquajtur ‘Tirana Approach’, që parashikon një kuadër për trajtimin e bashkërenduar të bizneseve që janë huamarrës në disa banka. Rregullorja parashikon që, për kredimarrësit më vonesë me mbi 60 ditë, bankat mund të nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për trajtimin e përbashkët të rastit. Pjesëmarrja e bankave në marrëveshje nuk është e detyrueshme, por rregullorja parashikon që Banka e Shqipërisë mund të ndërmarrë masa kufizuese ndaj atyre bankave që refuzojnë të bashkëpunojnë. Kështu, Banka e Shqipërisë mund të vendosë objektiva specifikë për uljen e kredive me probleme ose të kërkojë një normë më të lartë të mjaftueshmërisë së kapitalit për bankat që nuk marrin pjesë në marrëveshje ose që pengojnë arritjen e objektivave të përbashkëta. Procesi i vendimmarrjes së përbashkët do të menaxhohet nga vetë bankat pjesëmarrëse, përmes strukturave të posaçme, mbledhjeve dhe shkëmbimit periodik të informacionit, ndërsa Banka e Shqipërisë do të ketë një rol monitorues. Zgjidhjet që mund të ndërmarren në kuadrin e marrëveshjes do të jenë ristrukturimi i kredive, dhënia e financimeve shtesë për të forcuar qëndrueshmërinë e biznesit, përfshi këtu edhe konvertimin e borxhit në kapital, por edhe shitja e aseteve apo aktiviteteve të veçanta të biznesit debitor. Rregullorja në fjalë do të ketë një kohëzgjatje dyvjeçare, deri në qershor 2020 dhe është hartuar kryesisht në funksion të menaxhimit të disa prej kredive ekzsituese problematike në segmentin e korporatave.