La Liga ka surprizuar këtë fillim sezoni kur zyrtarizoi marrëveshjen e re, për të zhvilluar të paktën një ndeshje në sezon, në Amerikën e Veriut. Bosët e La Liga kanë firmosur një marrëveshje 15-vjeçare me Relevant, një grup sportiv, mediatik dhe zbavitës, për të transferuar markën spanjolle edhe përtej oqeanit Atlantik.
Motivi? Mobilizimi për të kultivuar kulturën e futbollit edhe në SHBA dhe Kanada, duke shfrytëzuar asetet fantastike të La Liga, e konsideruar si liga më e mirë e futbollit botëror, për nga klubet dhe futbollistët, të paktën sipas vetë komunikatës së La Liga spanjolle.
Një surprizë kjo e hidhur për vetë futbollistët e klubeve të La Liga, të cilët kanë kundërshtuar fuqishëm idenë e të luajturit të një ndeshje kampionati në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kontestimi mori formë zyrtare, përmes sindikatës së futbollistëve të La Liga, ku morën pjesë kapitenët e të gjitha skuadrave.
Mendimit “kundër” i kryesonte pikërisht kapiteni i ri i Barcelonës, Lionel Messi, por duket se kanë rezultuar të padobishme të gjitha tentativat për të çbërë këtë iniciativë.
Ndonëse fillimisht nuk ishte përcaktuar koha dhe skuadrat që do të zhvillonin ndeshjen e parë në SHBA, raportimet nga Katalonja kanë njoftuar se janë dy ekipet katalunjase që do të nisin këtë risi, Barcelona dhe rivalët e Girona.
Kur do të luhet Girona-Barcelona? Girona do të ndeshet me Barcelonën të dielën, më datë 27 janar. Sipas raportimeve, ndeshja do të startojë në orën 14:45 me kohën lokale.
Ku do të zhvillohet Girona-Barcelona? Girona do të përballet me Barcelonën në stadiumin “Hard Rock” të Miami, Florida, me kapacitet 65,326 vende. Është shtëpia e skuadrës së NFL, Miami Dolphins.