Ai ka nisur një aventurë të re, me siguri jo afatgjate, pasi i tillë është. Diego Maradona e filloi suksesshëm si trajner i Dorados në Meksikë, duke marrë një fitore bindëse në ndeshjen e tij të parë.
I emëruar si trajner në fillim të këtij muaji, Maradona shijoi fitoren 4-1 të Dorados mbi Cafetaleros de Tapachula, në ligën e dytë meksikane.
Ndeshja “erdhi në jetë” në gjysmë orën e fundit të lojës, me Vinicio Angulo që bëri heroin për ekipin e Maradonës, duke shënuar një “hat-trick”. Maradona e festoi me entuziazëm golin hapës të rezultatit, me autor Angulo, përpara se të dyfishonte epërsinë.
Këto katër gola të Dorados në fakt e dyfishuan numrin e tyre në kampionat, ku kishin shënuar vetëm dy herë në gjashtë sfidat e mëparshme.