MENU
klinika

Padia e trajnerit ndaj ish-Presidentit

Menaxheri Haxhia: Nishani gaboi me Panuccin

06.09.2018 - 14:09

Çështja e zjarrtë e ditëve të fundit në vendin tonë para ndeshjes me Izraelin është dhe padia që trajneri Christian Panucci i ka bërë ish-presidentit të Republikës, Bujar Nishanit. Italiani kërkon 100 mijë euro dëmshpërblim, pasi shqiptari e quajti sharlatan pas miqësoreve të humbura.

Një ndër personazhet që ka reaguar dhe i ka dalë në krah teknikut të kombëtares është menaxheri Sokol Haxhia. Ky i fundit jeton dhe vepron në Itali, por gjithmonë i pranishëm në çështjet “shqiptare”.

“Padia që ka bërë Panucci është normale, pasi Nishani për rolin që ka patur si ish-president republike, nuk i takon që trajnerin e kombëtare shqiptare, që është një nga figurat më të rëndësishme të Shqipërisë ta krahasojë me një sharlatan.

Ai nënkupton që Panucci është një person i papërgatitur, mashtrues dhe qesharak me epitetin që i ka vendosur.  Nëse i kishte thënë se është trajner i paaftë dhe kot, Panucci nuk do të bënte padi penale.

Mendoj se e ka paditur, pasi është ndjerë i ofenduar. Ai ka kërkuar 100 mijë euro, por nuk ka nevojë për aq para. Mjafton të shohësh CV e tij. Ai ka luajtur me klube të mëdha të Europës. Mendoj se në vitin që ka qenë më pak i paguar mund të ketë qenë 1.5 milionë euro.

Nishani, duke ulur figurën e Panuccit, ka ulur figurën e FSHF-së, pasi janë drejtuesit e Federatës që e kanë zgjedhur si trajner. Po sulmohet Panucci, por mendoj se ai ka bërë mirë që ka provuar lojtarët e rinj në miqësore.

panucci dhe nishani
panucci dhe nishani

Nuk u fol kështu kur barazoi me Maqedoninë, luajtëm mirë me Spanjën dhe Italinë. Një person duhet të jetë dhe objektiv. Nëse do ta akuzonte një ish-sportist, trajner, drejtues dhe mund ta kuptoja, por një politikan, nuk ka kuptim.

Jam nga ana e Panuccit, pasi çdo njeri i sportit duhet të jetë me të. Ai mund të thojë se nuk është i përgatitur ose De Biasi është më i mirë. Dua të kujtoj se kur erdhi De Biasi në dy vitet e para dolëm të parafundit në kualifikuese, pastaj dhe me meritën e FSHF-së u rinovua ekipi dhe shkuam në Europian.

Sokol-Haxhia
Sokol-Haxhia

Panuccit duhet t’i japim kohë. Nuk ka eksperiencë të madhe si trajner, por ka një eksperiencë shumë të madhe si lojtar që mund të na e përçojë. Shpresoj që lajme të tilla të mos dalin në Itali, pasi na ulin figurën në arenën ndërkombëtare”, – përfundoi Haxhia.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ish-Presidenti e quajti sharlatan

Panucci padit Bujar Nishanin në Gjykatë