Mund të ketë qenë fundjava e fundit për Gianni De Biasin në studiot e RAI duke komentuar ndeshjet e kampionatit italian. Sepse që nga java e ardhshme, ish-trajneri i përfaqësueses shqiptare mund ta shohë veten në fushë, më saktësisht në një nga pankinat e Serisë A.
Emri i trajnerit qarkullon prej kohësh në ambientet e skuadrave italiane dhe pavarësisht zërave për të marrë drejtimin e Armenisë, ai duket më i prirur për të drejtuar edhe një herë në kampionatin e vendit të tij, ku mungon që nga viti 2010.
Pak kohë më parë, De Biasi kishte pretendime që të merrte një skuadër të madhe, tani duket gati të pranojë edhe një ekip mbijetese. Një i tillë është Frosinone. Sipas medieve italiane, pas humbjes së sotme përballë Genoa-s, trajneri Longo nuk e ka të gjatë në drejtimin e skuadrës që u ngjit nga Serie B.
De Biasi është mes kandidatëve kryesorë për të marrë drejtimin e këtij klubi, edhe pse e pret një detyrë shumë e vështirë. Ekipi ka regjistruar 1 barazim e 6 humbje në ndeshjet e para në Serie A dhe llogaritet nga të gjithë si një prej kandidatëve kryesorë për të rënë në fund të sezonit.