Pas humbjes së Barcelonës ndaj Leganes, të gjithë menduan se Real Madrid do të merrte kreun më vonë, por Los Blancos janë mposhtur nga Sevilla në transfertë, teksa vendasit kanë fituar pastër 3-0. Një humbje që djeg, për më tepër në këto shifra.
Një makth që ka filluar në minutën e 17-të me golin e parë të takimit të realizuar nga Andre Silva, sulmuesi portugez që vjen nga një sezon i dështuar te Milan, por që duket se është ringjallur te Sevilla.
Një ringjallje që është konfirmuar edhe në minutën e 21-të, kur Silva ka shënuar edhe golin e dytë të takimit, duke shkuar në krye të renditjes së golashënuesve të La Liga-s me 6 realizime, një më shumë se Leo Messi.
Gjashtë minuta para fundit të pjesës së parë ka ardhur edhe goli i tretë i vendasve, i shënuar nga Ben Yedder, që ka kthyer Real Madrid 15 vite mbrapa në kohë.
Në fakt, hera e fundit që madrilenët kanë mbyllur një pjesë të parë të një ndeshjeje të kampionatit me një disavantazh prej 3 golash ka qenë në nëntorin e 2003-it, pikërisht kundër Sevilla-s në “Sanchez Pizjuan”.
Reagimi i Real Madrid ka ardhur në minutën e 54-t me Modric që ka ngushtuar diferencat në 3-1, por goli është anuluar nga ndërhyrja e sistemit VAR për një pozicion jashtë loje të kroatit. Në të 61-ën ka qenë Gareth Bale që ka shpërdoruar një rast të pastër, me goditjen e tij që është ndalur nga një pritje e bukur e Vaclik.
Rastet nuk kanë munguar për të dy skuadrat deri në fund, por rezultati ka mbetur i pandryshuar. Një rezultat që i bën punë më shumë Barcelona-s, me katalanasit që kanë pikë të barabarta me “Los Blancos”, por që mbajën kryesimin falë një diference më të mirë golash.