MENU
klinika

Serie A, java 4

Roma shpërdoron avantazhin e dyfishtë

16.09.2018 - 14:37

Roma ka shpërdoruar në javën e katërt të Serie A, pasi nga 2-0 në pjesën e parë ndaj Chievo-s, në fund është mbyllur 2-2, duke lënë kështu dy pikë me mjaft vlerë në ndeshjen e luajtur në “Olimpico”.

Vazhdojnë vështirësitë për verdhekuqtë, të cilët kanë marrë dy barazime dhe një humbje në tri ndeshjet e fundit të Serisë A dhe të mërkurën në mbrëmje do të luajnë në “Bernabeu” kundër Real Madrid për javën e parë të Champions League.

Takimi ka nisur shumë mirë për vendasit, të cilët kanë kaluar në avantazh pas vetëm 10 minutash lojë me Stephan El Shaarawy-in dhe kanë dyfishuar me Cristante 20 minutë më vonë.

Chievo nuk është dorëzuar dhe në minutën e 52-të ka gjetur golin që ka ngushtuar diferencat në 2-1, i shënuar nga Birsa. Befasia për vendasit ka ardhur shtatë minuta para fundit të takimit, me Stepinski që ka kapur të papërgatitur mbrojtjen dhe ka fiksuar shifrat në 2-2.

Ky rezultat e lë Roma-n në vendin e shtatë, katër pikë larg kreut (një diferencë që mund të thellohet pas Juventus-Sassuolo) dhe jashtë zonës europiane të klasifikimit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN