MENU
klinika

Personazhi i qytetit

Sabah Bizi: Miqësia ime me Beckenbauer

09.09.2018 - 10:25

Sabah Bizi dhe Panajot Pano janë padyshim dy lojtarët më të mirë të historisë së futbollit shqiptar. Dy yjet kane dhuruar spektakël me topin në këmbë duke spikatur edhe përpara gjigantëve të futbollit botëror, paçka se komunizmi u ndaloi të luanin në ekipet më të mira të asaj kohe në Ligën Europiane.

Kujtimet janë ato çka ruhen prej asaj kohe dhe Bizi nuk ka pak, pasi ka kontribuar për një periudhë të gjatë në futbollin shqiptar. Atë që ruan me më shumë fanatizëm është historia e përballjes me Gjermaninëe cila qe shkas për t’u shëndrruar në njohje me një prej legjendave të futbollit botëror, Franc Beckenbauer.

“Kam luajtur përballë kundërshtarëve të ndryshëm gjatë gjithë karrierës time, por për mua pa dyshim që më emocionueset dhe më të vështirat ishin përballjet me Gjermaninë në vitet 1967-1971. Ne ishim një kombëtare e vogël por me lojtarë të mëdhenj dhe pa përvojë në arenën ndërkombëtar” tregon Sabah Bizi duke rikujtuar momentet kur Shqipëria luante kundër “panzerave”.

Historia e shkodranit është e veçantë pasi 72 orë përpara ndeshjes. Bizi tregon se ishte shtruar në spital për shkak se vuante nga “hernia diskale” dhe kishte probleme të mëdha me shtyllen kurrizore. Shpresat për të luajtur ishin shuar për të, deri në momentin kur në derën e dhomës, në spitalin e Tiranës u shfaqen Xhevdet Shaqiri dhe Loro Boriçi.

“U çudita kur i pashë. U ulem dhe nisëm të bisedonim rreth ndeshjes. Të nesërmen erdhi Loroja prapë tek spitali dhe më mori me një makinë private. Nuk më tha asgjë vetem kur e pashë veten tek kodrat e liqenit. Aty më tha vishu dhe bëhu gati për stërvitje, më duhesh.Tek kodrat e liqenit, zhvilluam disa vrapime sepse kisha mbi 2 javë pa prekur top me këmbë. Atëherë ika në shtëpi. Ishte ora rreth 12 e darkës të së martes dhe po bëhesha gati për të fjetur, kur dikush trokiti në derë. “Jam unë Loroja” – më tha. Hapa derën dhe ishtë Loro Boriçi me një çokollatë në dorë.

– “Merre më tha dhe haje. Bëhu gati pasi nësër do luash”
– “Kush do të luajë ? -i thashë. “ Kombëtarja e di është ndeshje e vështirë”
– “Jo jo do luash ti ! Më duhesh !
– “Jo jo shoku Loro, e ke gabim. Nuk është problemi im se jam i sëmurë por po të qeshin ty, jam më i dobëti. Nuk jam i zoti !” – tregon Bizi.
“Përfundimisht ai e kishte ndarë mendjen. Më tha se do të mbaj numrin 11 dhe më tregoi detyrat taktike. Një zot e di sa kam vuajtur. U nisa për të fjetur por asnjë minutë nuk mbylla sytë” – rrefen ish futbollisti i kombëtares.

Rikthimi i Bizit në fushë u bë temë diskutimi edhe për partinë e punës dhe udheheqësit e asaj kohe. Si asnjëherë më parë, në analizën e ndeshjes morën pjesë Ramiz Alia, Adil Çarçani dhe Thoma Deljana. Gjatë prezantimit të formacionit, Loro Boriçi theksoi emrin e Sabah Bizit dhe kjo solli reagimin e drejtuesve. Bizi tregon se kur Loroja filloi të prezantonte formacionin në momentin kur në mesfushë thotë: “Sabah Bizi”. Menjëherë në këmbë u ngrit Ramiz Alia:
– “ Shoku Loro po Bizi ? A më keni thënë se është në spital i sëmurë prej disa javësh ?”
-“Shoku Ramiz, Bizi ka dalë nga spitali dhe ka bërë disa seanca stërvitorë, është më në formë se kurrë” – iu përgjigj Loroja ndërsa unë u shtanga, mbeta pa fjalë. E marr unë përsiper këtë pergjegjësi” tha trajneri Boriçi duke befasuar edhe Ramiz Alinë.

Në atë ndeshje historike për futbollin shqiptar, kombëtarja kuqezi barazoi 0-0 ndaj nënkampionëve të botës duke sjellë një goditje të rëndë për Gjermanët. Kombetarja shqiptare i eleminoi dhe u eleminuan në mënyrë të turpshme. Historia e Bizit me kombëtaren gjermane përsëritet edhe pas 4 vitesh kur shorti rezervoi serish të njëjten përballje. Ky 90 minutësh ishte edhe me i veçantë për shkodranin pasi në fushë ishte idhulli i tij, Beckenbauer:

“Kur e mora vesh që do të luaja kundër Beckenbauerit, shkova për të ngrëne dhe as buka nuk më kalonte më, shkova të pushoj nuk me flihej, dridhesha nga emocionet. Erdhi ndeshja shumë shpejt dhe Loroja më tha se Beckenbaueri është lojtari që do të mbulosh. Ma la porosi. U futëm në fushë dhe çfarë të shikoja. Ishte një djalë 2 metër i gjatë, elegant dhe shumë simpatik. Të them të drejtën 15 minutat e para të ndeshjes vetëm e shikoja dhe e admiroja. Ishte diku aty minuta e 20-të e ndeshjes dhe Franci mori një top, kaloi Rragamin dhe Shllakun. Isha ballë për ballë tij. Tentoi të më driblonte por as vetë nuk e di si ndodhi ia mora topin dhe e shmanga.

Në shpejtësi iu largova dhe ndjeva më pas një ndërhyrje të lehtë, dikush më rrëzoi. U ktheva kur shoh Beckenbauerin:“Bravo më tha por luaje topin” tregon me emocione Sabah Bizi teksa edhe duart i dridhen kur kujton ato dyluftime përkrah lojtarit më të mirë në botë të asaj kohe.

Me të përfunduar ndeshja, në mbrëmje, në hotel “Dajti”, Beckenbauer e ka përgëzuar serish Bizin për lojën e zhvilluar. Përpara dy skuadrave dhe përfaqësuesve të dy federatave, ai ka marrë mikrofonin dhe ka komentuar paraqitjen e tij, pa menduar se fati do t’i përballte serish këto dy figura në fushën e lojës.

Disa vite më pas, ne Karlsruhe, Shqipëria do të luante me Gjermaninë vendase. Beckenbauer sëbashku me trajnerin Helmut Shën i dhuruan Bizit një top dhe një poster me një fotografi ku ishin të tre sëbashku. Në 1990 në Tiranë, Beckenbaueri erdhi si trajner i Gjermanise dhe kërkoi ta takonte Sabah Bizin, që asokohe ishte i tërhequr nga sporti.

“Më erdhi një lajmërim dhe më thanë se të kërkon Beckenbaueri në Tiranë. Mendova se po qeshnin me mua. Shkova dhe e takova. Kemi qendruar për disa orë bashkë dhe më dhuroi një palë kepucë të Gjermanisë kampione bote. Ishin një mrekulli! Kjo ishte edhe hera e fundit që jemi takuar por mua më la shumë mbresa” -thote Bizi ndërsa tregon edhe një histori të veçantë që i ka ndodhur një djali shkodran që po punonte në Mynih:

“Përpara disa vitesh, erdhi dhe më takoi një bashkëqytetar dhe me tha se kam bërë nder të madh. Djali i tij kishte punuar në një lokal ku Beckenbauer ka shkuar si klient sëbashku me të shoqen. Gjatë shërbimit, aksientalisht ai ka derdhur një gotë vere mbi fustanin e gruas së tij. Beckenbauer ishte nxehur mjaft dhe ka debatuar me djalin por kur ka vënë re se nuk fliste mirë gjermanisht, ka pyetur pronarin por edhe vetë djalin nga ishte.

Djali i frikësuar se do të pushohej nga puna i është pergjigjur me gjysmë zëri së është shqiptar. Me tej, “Kaizeri” e ka pyetur sërish se nga cili qytet dhe ai iishte pergjigjur se nga Shkodra. “Mos e njihni Sabahin ? Bizin ?” e ka pyetur serish Beckenbaueri dhe djali i ishte pergjigjur se jetonte në një lagje me të. Më tej, gjithçka ishte normalizuar dhe i kishte lënë porosi djalit që të më dergonte urimet e tij më të mira. Jam ndjerë shumë i vlerësuar që pas kaq shumë vitësh ai më mbantë sërish mend.”

Një ngjarje e thjeshtë që dëshmon për respektin që legjenda e futbollit gjerman gëzonte ndaj futbollistit Sabah Bizit. Respekt që të dy e kanë ruajtur dhe ushqyer edhe pse në distancë.

Përgatiti K.Zh.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN