Ekonomia shqiptare po ndryshon dhe burimet e rritjes po zhvendosen. Nga një ekonomi që mbështetet kryesisht te tregtia dhe ndërtimit, themelet e reja të rritjes do të jenë industritë dhe shërbimet e lidhura me eksportet.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha të martën se ky proces ka filluar dhe do të kërkojë kohë që të maturohet. Rialokimi i burimeve njerëzore dhe financiare mes sektorëve të ekonomisë do të kërkojë kohë dhe do të sjellë një ulje të përkohshme të produktivitetit.
“Ekonomia shqiptare ka qenë dhe është në një proces ristrukturimi të modelit të saj të rritjes. Ndër të tjera, ky proces parashikon një mbështetje më të madhe të rritjes në sektorët e orientuar drejt eksportit – si industria dhe turizmi, si dhe një orientim më të madh të resurseve financiare drejt zgjerimit të investimeve. Zhvendosja e burimeve financiare, njerëzore dhe manaxheriale, midis sektorëve të ekonomisë, kërkon kohë dhe shoqërohet me ngadalësim të përkohshëm të produktivitetit. Megjithatë, ribalancimi i burimeve të rritjes, nga ndërtimi e tregtia drejt industrisë dhe shërbimeve të eksportit, është një proces i cili tashmë ka nisur. Kjo zhvendosje graduale vihet re dhe në ribalancimin simetrik të portofolit të kredisë bankare,” tha Sejko.
Ai theksoi se një faktor përcaktues në të ardhmen e eksonomisë shqiptare do të jetë shkalla e edukimit dhe të kualifikimit të fuqisë punëtore. Sipas tij, reforma e sistemit të lartë arsimor dhe rritja e theksit në arsimin profesional, janë dimensione esenciale të ristrukturimit të ekonomisë, frytet e të cilave do të bëhen gjithnjë e më të dukshme në afatin e gjatë.
Megjithatë, Shqipëria ka ende punë për të bërë në këtë drejtim, në veçanti drejt frenimin të emigrimit të fuqisë së kualifikuar punëtore dhe të rifreskimit të aftësive të fuqisë së saj punëtore nga sektori privat. Guvernatori nënvizoi se produktiviteti i ekonomisë është i lidhur ngushtë me përmirësimin e aftësive manaxheriale të biznesit.
“Fushata për rritjen e formalizimit, rritja graduale e konkurrencës, si dhe rishikimi i ligjit për falimentin, do të krijojnë stimujt e duhur në këtë drejtim. Në veçanti, jam i bindur se përmirësimet ligjore e nënligjore të bëra në drejtim të respektimit të kontratës së kredisë bankare, do të ndihmojnë jo thjesht e vetëm shëndetin e bankave, por do të stimulojnë dhe rritjen e disiplinës dhe efektivitetit në përdorimin e fondeve nga bizneset shqiptare,” tha ai.
Në ndryshim nga ekonomitë e zhvilluara, të cilat ndodhen në kufirin teknologjik dhe të cilat, për këtë arsye, e shohin progresin të lidhur me aftësinë e tyre për inovacion, Shqipëria ka hapësira të mëdha zhvillimi nëpërmjet adoptimit të teknologjive e praktikave ekzistuese.