MENU
klinika

Kriza brenda PD-së

Topallit nuk i del inati: Basha i dështuar

18.09.2018 - 10:23

Ish-nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, e sheh situatën në vend si dramatike pa qeveri dhe opozitë dhe ka bindjen se Kryeministri Rama dhe kreu i opozitës, Lulzim Basha, vijojnë paktin mes tyre.

Topalli kërkon që të ndërhyhet me emergjencë, duke reformuar në mënyrë radikale forcat politike që kemi, ose duke krijuar lëvizje të reja që do të çojnë drejt formimit të forcave të reja politike. Topalli flet edhe për situatën në Shkodër, qytet i cili për disa mandate e zgjodhi si përfaqësuese të tij në Parlament, duke i cilësuar shou mbledhjet e opozitës dhe aksionet e Policisë dhe duke theksuar se reagimi qytetar mungon sepse shpresa ka humbur. Kohët e fundit në Shkodër ka pasur ngjarje të rënda kriminale.

Sot në Shqipëri nuk qeveris PS-ja. Dhe në opozitë nuk është PD-ja. Sot nuk ka parti të majtë dhe as të djathtë. Nuk ka as qeverisje dhe as opozitë. Sot pushteti dhe farsë opozita janë bashkë. Sot sundojnë 4 vetë, 10 oligarkë dhe disa banda kriminale. Ndërsa në opozitë janë njerëzit e thjeshtë. Ata që po ikin jashtë Shqipërisë, gjithë ata që mendojnë të ikin se nuk besojnë se me këtë klasë politike ndryshon gjë dhe ata që janë një shumicë e heshtur- ata janë opozita. Rama ka humbur çdo kontakt me realitetin, pavarësisht përpjekjeve të tij të dështuara për një PR tjetër. Pakënaqësia ndaj Ramës është rritur vrullshëm. Shqiptarët refuzojnë arrogancën e Ramës, padijen e tij për qeverisjen, korrupsionin e pakufi të qeverisë së tij. Shqiptarët refuzojnë që kryeministri i vendit të jetë njësh me oligarkët dhe aleat me krimin.

Për shkak të këtyre politikave të Edi Ramës ka një shpërthim të pabarazisë ekonomike. Është fatale që një numër krejt i vogël oligarkësh të kontrollojnë pasurinë e 98% të qytetarëve. Disa zhgërryhen në miliona e shumica e njerëzve jetojnë nën stresin e pamundësisë për të paguar energjinë, qiranë, dritat, shkollën e fëmijëve e bukën e gojës. Ndërkohë, pas një eksperimenti unik të pashoq, vendi është pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë e shpejt pa Gjykatë Apeli.

As në kohën e Enver Hoxhës kjo nuk ka ndodhur (formalisht). Mungesa e shtetit ligjor dhe padrejtësitë e mëdha sociale çojnë ose në shpërthime të pakontrolluara, ose në çimentimin e mafies në drejtim të shtetit. Në këtë situatë dramatike, opozita farsë e kësaj periudhe ka pjesën e saj të përgjegjësisë. Që gjërat të mos shkojnë edhe më keq, është emergjente të ndërhyhet. Ose duhen reformuar në mënyrë radikale forcat politike ekzistuese, ose duhen krijuar lëvizje të reja që të çojnë në forca të reja politike. Ajo që quhet opozita e sotme kishte detyrën dhe shansin t’i jepte alternativë vendit.“-tha Topalli.