MENU
klinika

Abuzim me pozitën dominuese?

Autoriteti i Konkurrencës heton 4 bankat më të mëdha

27.10.2018 - 23:48

Autoriteti i Konkurrencës ka hapur një hetim paraprak për katër bankat më të mëdha në vend, Banka Kombëtare Tregtare, Raiffeisen Bank, Credins Bank dhe Intesa Sanpaolo. Në terma të aseteve, kredive dhe depozitave, katër bankat nën hetim zënë pjesën kryesore të tregut, me mbi 60% të totalit për secilin nga treguesit e mësipërm.

Treguesit e përqendrimit në tregun e kredisë, kanë tendencë në rritje, në veçanti një rritje të peshës specifike të Banka Kombëtare Tregtare në tregun e depozitave dhe tregun e kredidhënies.

Gjithashtu, nga vlerësimi i komisioneve për llogaritë rrjedhëse konstatohet se bankat përcaktojnë komisione për mbylljen e llogarisë dhe komisione në rast tërheqje cash të paparalajmëruar. Këto komisione mund të përbejnë kosto bllokuese për lëvizshmërinë e klientëve dhe për më tepër kosto financiare.

Është konstatuar se muajt e fundit bankat kanë rritur komisionet për lëshimin e një vërtetimi të gjendjes së llogarisë e cila është shumë më e lartë se vlerat e publikuara në faqet zyrtare.

Pritet që raporti i hetimit të mbyllet brenda muajit nëntor, ndërsa më tej Komisioni i Konkurrencës do të vendosë nëse ka prova të mjaftueshme për hapjen e një hetimi të thelluar.