Fitimi i sistemit bankar shqiptar u rrit sërish gjatë muajit gusht, duke arritur në rreth 105 milionë euro. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, fitimi progresiv i tetëmujorit kishte vlerën e 13.2 miliardë lekëve, në rritje të mëtejshme nga fitimi prej 12.6 miliardë lekësh i shtatëmujorit. Megjithatë, fitimi i sistemit është disi më i ulët në raport me vlerat rekord të vitit të kaluar, me rreth 16% më pak.
Kthimi nga kapitali tashmë ka arritur nivele më të pranueshme për investitorët, në 13.4%. Ndonëse kthimi nga kapitali është ende më i ulët krahasuar me periudhën e parakrizës, kur kalonte edhe kufirimin e 20%, nivelet aktuale janë të kënaqshme duke konsideruar faktin që kërkesa e brendshme ende nuk është rimëkëmbur plotësisht dhe tregu nuk ofron potenciale të mjaftueshme biznesi për bankat.
Megjithatë, faktori më përcaktues në ruajtjen e fitimeve të larta edhe këtë vit është rënia e kredive të këqija. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të gushtit, raporti i kredive me probleme ishte 12.9%, në nivelin më të ulët që nga viti 2010. Gjatë këtij viti, efektin kryesor në uljen e këtij treguesi po e japin ristrukturimet dhe rikthimet e kredive, ndërsa deri vitin e kaluar rënia e kredive me probleme ishte sidomos rezultat i fshirjes së huave të humbura.