Nga rezidenca e kombëtares në Durrës, mesditën e sotme kanë dalë në konferencë për shtyp dy “senatorë” kuqezinj, Elseid Hysaj dhe Migjen Basha. Ky i fundit ka nënvizuar në fjalën e tij se skuadra mund të ecë dhe nuk mund të gjykohet nga miqësorja e djeshme.
Besim te ecuria? “Sigurisht që kam besim. Mund të bëjmë ndeshje të mirë dhe katastrofike. Mos ta gjykojmë ndeshjen e djeshme, pasi ishte një sistem pak i përdorur dhe u aktivizuan shumë të rinj, por mendja jonë është te e diela.
Nuk është vetëm fitorja ajo që ngre moralin, duke qenë se edhe vjet na mundi Luksemburgu dhe më pas mundëm Izraelin. Ka raste kur fitorja është më keq, por edhe pas humbjeve duhet entuziazëm. Duhet ta shohim ndeshjen si finale.”
Zv.kapitenët? “Nuk di të them nëse ndryshon diçka nga Hysaj apo unë. Kemi bërë edhe ne ndeshje të dobëta, por është fusha ajo që flet dhe duhet të japim gjithmonë maksimumin. Jemi caktuar kapiteni i dytë dhe i tretë, ndaj përgjegjësitë janë më të mëdha.”
Skema? “Kam luajtur 3-5-2 me Venturën, por pak a shumë i di lëvizjet. Për dy ditë nuk mësohen. Ishim konfuzë, por edhe kundërshtari ishte në mbrojtje. Gjithsesi, kemi pasur raste për gol”.
Kapiteni? “Kapitenin e vendosi grupi, bëmë votimet dhe Mavraj mori më shumë vota. Është pozitive, por nuk është se shiriti të jep vetëm ty përgjegjësi. Duhet të mendojmë për të mirën e kombëtares.”
Izraeli? “Na duhet patjetër fitorja, pasi mund të na bllokohet rruga për Europian. E dimë se do ketë ndryshime. Fillimi do të jetë i vështirë, pasi ata do na sulmojnë”, – u shpreh Basha.