MENU
klinika

Ylli i dy Dinamove dhe i Kombëtares

Demollari, legjenda që tronditi “Wembley”

20.10.2018 - 14:03

I cilësuar si një nga futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave të futbollit shqiptar, i përzgjedhur në 10 sportistët më të mirë të 100 Vjetorit të Pavarësisë të Shqipërisë, Sulejman Demollari është legjenda e gjallë e futbollit tonë, emblemë e dy Dinamove (edhe në Rumani) dhe e Kombëtares.

Në një intervistë ekskluzive për “Konica.al”, Demollari përcjell disa detaje nga jeta dhe karriera e tij që pak ose nuk i kishte thënë më parë. “Sula” është modest, nuk e ka qejf madje shumë të flasë për vete, ndihet jo komod me kamerat, pasi nuk i pëlqen publiciteti, megjithatë po përcjellim fjalët e tij…

Si e nisët të merreshit me futboll dhe pse zgjodhët Dinamon?

Në fëmijërinë tonë futbolli ishte i vetmi me të cilin argëtoheshim. Kam frekuentuar shkollën “Alqi Kondi”, sot “Pjetër Budi”, një nga shkollat ku kishin dalë shumë dinamovitë më parë, por Dinamo merrte nga klasat sportive në atë shkollë dhe unë isha aty së bashku me shumë të tjerë.

demollari dhe kushta
demollari dhe kushta

Na e kujtoni pak grumbullimin për herë të parë me ekipin?

Edhe sot kur e kujtoj ndjej emocione. Ju duket e habitshme, por mendoni pak një 15 vjeçar, i imët, pa ndonjë përkrahje të hyje në rresht me Vasillaq Zërin, Andrea Markon, Ilir Përnaskën, Ballgjinin e shumë e shumë të tjerë.

Mbaj mend që për t’u mos u dukur këmbët e holla, vesha tuta herën e parë. Ishte korrik dhe unë me tuta. Trajneri sa më pa më nxorri urgjentisht dhe më urdhëroi të vishja uniformë. Atëherë kishte shumë solidaritet, nuk ta lironte kush vendin, por ama të jepnin zemër që mos dorëzoheshe.

Jeni cilësuar si një kapiten i përhershëm…?

Ndoshta nga fakti se që me moshat kam qenë kapiten. Në ekipin kombëtar U-18 u zgjodha kapiten, më pasi tek U-21, që shkuam deri në tetëshe të Europës, te Dinamo më vonë, e kështu në Kombëtare. Ndërsa edhe te Dinamo e Bukureshtit ka pasur shumë ndeshje ku unë mbajta shiritin e kapitenit.

shqiperi belgjike
shqiperi belgjike

Ndryshimi mes Dinamos dhe Kombëtares?

Për mua nuk kishte ndryshim, përveç faktit që me ekipin kuqezi dilnim edhe jashtë vendit dhe për ne ishte risi në atë kohë. Në kohën time kanë qenë futbollistë që përkushtoheshin dhe luanin me pasion.

Ndoshta me një menaxhim më të mirë në vitet 84’ e 85’, ne mund të kishim bërë akoma më mirë. E vështirë do të ishte të hynim në Botërorin e 86’, sepse vendeve të vogla atëherë nuk u jepnin fare përparësi. Veçoj ndeshjen me Belgjikën në 84’, ku edhe më vonë është pranuar se belgët prisnin të barazonin nga sekonda në sekondë, por Minga i shtangu.

Kujtoj kur përplasesha me Ceulemans, një nga më të mirët e asaj kohe në Europë e botë. Kënaqësia më e madhe ishte pastaj kur dilnim në Tiranë që na përshëndesnin.

Po në Angli u është ngrënë haku, ju shënuat një gol fantastik…?

Atë që po thoja më parë, ekipet e mëdha, në një formë a tjetër, përkraheshin nga UEFA e FIFA, ishin, janë dhe do të mbeten edhe interesa të forta ekonomike. Imagjinoni, ne luanim në “Wembley” dhe po rezistonim fort.

Nuk e mbaj mend, më duket se rezultati ishte 1-0 ose 2-0 për anglezët dhe shënojmë ne. Po festonim, mëse e ligjshme, kur kthehem nga anësori, kishte ngritur flamurin. Shkoj atje dhe mundohesha mos shpërthej. Ishte shumë e padrejtë. Pyesni Doktor Lluka Heqimin se çfarë tha trajneri Bobby Robson…

“Isha pranë të madhit Bobby Robson dhe e pyes pse u anulua goli i Demollarit, pasi me thënë të drejtën ne në stol nuk e kuptuam…Robson më përgjigjet: Nëse do më ishte anuluar ai gol mua, nuk e di se çfarë do të kisha bërë” – janë fjalët e Profesor Doktor Lluka Heqimit, atëherë mjek i Kombëtares.

Në fillim të viteve 90’ kaluat në Rumani…?

Është një tjetër peirudhë e mirë e karrierës sime, për më tepër nga një Dinamo, te një Dinamo tjetër, ndryshonin vetëm ngjyrat. Dinamo e Bukureshtit kishte shumë tifozë dhe shumë të zjarrtë, mund të them pa frikë ndër më të zjarrtit në Europë. Atje thonin: Fito derbin, nuk na duhet kampionati! Mua nisëm të më thirrnin Demo dhe sot e kësaj dite ashtu kam mbetur për ta.

Pak shifra kontraverse, në 11 vite te Dinamo jonë, luajte 124 ndeshje dhe shënove 40 gola, në Bukuresht, 100 ndeshje dhe shënove 36 gola…?

Në Rumani bëheshin shumë ndeshje brenda kampionatit, kupës, por ndërkohë Dinamo e Bukureshtit luante edhe në Europë. Nuk kam munguar qoftë edhe një ndeshje të vetme, madje qoftë as stërvitje. Kam marrë vetëm një karton të verdhë për 4 vjet, ndërsa golat vinin edhe nga eksperienca, luaja edhe më afër portës.

Episodi që mbani mend në Rumani?

Janë disa, që nga kualifikimi ndaj Sportingut të Lisbonës në Europë, dhe te ndeshjet derbi që ishin spektakolare. Në një nga këto derbi, po fitonim 3-1 në pjesën e parë ndaj Rapidit, por për çudi, rezultati shkon në 3-4 për ta. Presidenti ishte larguar minutat e fundit nga mërzitja.

Më thoshte shoferi i tij më më vonë, kur shënove ti Demo në sekondat e fundit, po e dëgjonim në makinë, presidenti pësoi goditje në zemër. Kemi shkuar në spital më vonë.

Klubi i Dinamos më paguante biletat sa herë shkoja tek ekipi kombëtar në atë kohë. FSHF ishte në pamundësi financiare dhe organizative asokohe. Shkoja kur kisha pushim dhe çoja ushqime te refugjatë, ku kishte edhe shqiptarw.

Shumë shqiptarë kur vinin në Rumani, qoftë edhe për biznes, i takoja me mall, por edhe i ndihmoja, mjaftonte një telefonatë në drejtim të klubit apo presidentit dhe ngrihej trau i doganës. Tifozët edhe sot e kësaj dite, kur shkoj në Bukuresht, vijnë dhe më përqafojnë, kjo është kënaqësia më e madhe.

Pastaj kaluat në Greqi me Panionis…?

Kam një episod këtu për të treguar, jo për veten, por për dikë tjetër. Ishte një ceremoni ku vlerësoheshin jo vetëm lojtarët aktualë të klubit, por edhe emblemat, ku një pjesë kishin luajtur edhe ekipin kombëtar.

Njëri prej ty, që nuk më kujtohet emri për momentin, më takon dhe më thotë: Ore kush ishte njëri në mesin e viteve 70, luajti me Shqipërinë kundër nesh dhe na gënjente të gjithëve, madje dinte edhe greqisht? E kishte fjalën për Vasillaq Zërin…

Gjithsesi, nuk e latë futbollin shpejt?

Jo, luajta një sezon në Hungari me Gyori, pastaj kalova në Itali, në një ekip modest në Serie D, por që financiarisht më siguronte të jetoja mirë, pasi do krijoja edhe familje më pas.

demollari bukuresht
demollari bukuresht

Pse nuk u kthyet në Shqipëri ta mbyllnit karrierën?

Ishte mesi i viteve 90’ dhe në vendin tonë ishin vite të vështira. Por kam pasur një ofertë që po e zbuloj për ju: Lushnja më ofroi 100 milionë lekë në atë kohë. Kisha çuar trajnerin Kempes në Lushnjë dhe kisha kontakte me djalin e presidentit. Në fillim u tundova, por pastaj vendosa të qëndroj në Itali.

Në Shqipëri erdhët me statusin e trajnerit në vitin 2001, por pse nuk pate ecuri të mirë. Pse?

Sepse organizimi i Kombëtares ishte i dobët. M’u lutën të bëhem trajner dhe më pas as kontratë nuk më bënë, zëvendëstrajnerin donin ta vinin vetë (të paktën mora Josën nga Greqia, mezi e binda), pra stafin mos e bëja unë, gazetarë që futeshin në autobusin e Kombëtares me miratimin nga FSHF. Ishin një sërë arsyesh që nuk mund të kishe rezultate në ato kushte.

Dhe më e forta, kur erdhën trajnerët e huaj më pas, të gjitha ato që kisha kërkuar unë, ua plotësuan dhe dukej krejt normale, ndërsa nga Sula nuk pranonin. Ishte fillimi i viteve 2000 dhe ende kishin mbetur prapa në mentalitet në FSHF. Donin rezultate pa disiplinë, pa stërvitje, pa staf dhe në kushte katastrofike.

Po Duka, sipas teje, ndryshoi rrjedhën e gjërave?

Koha e ka treguar që po. Në fillim në FSHF nuk kanë qenë më shumë se 15 punonjës, që më shumë rrinin në kafe, në zyra skandaloze pas stadiumit “Qemal Stafa”. Duka mori trajner të huaj, mori zyra të reja dhe sot FSHF është institucion shumë i suksesshëm, ku punojnë në mënyrë profesionale rreth 150 vetë, me paga dhe me siguracione, njerëz me integritet dhe për më tepër, sjellin rezultate.

Kualifikimi për në Europian ishte kulmi i suksesit të FSHF dhe një arritje shumë e madhe për një federatë të vogël si e jona. Të gjithë e dinë që mua s’më intereson politika, por FSHF ka merita të veçanta për arritjen e Shqipërisë në Europë.

Aktualisht me se merreni?

Jam në sektorin e ekipeve kombëtare, bëjmë përzgjedhje të moshave së bashku me trajnerët përkatës. Një punë që më jep kënaqësi, e bëj me pasion, mbetem te futbolli dhe kjo ka rëndësi.

demollari Mjeshter i Madh
demollari Mjeshter i Madh

Diçka të fundit që do të donit të thonit…?

Respekti që marr nga njerëzit. Shumë më përshëndesin, më respektojnë, madje nëse u kërkoj ndonjë nder për miq të mi apo shokë e kolegë, ata e bëjnë menjëherë dhe thonë: Për Sul Demollarin bëjmë gjithçka! E kjo më mbush me gëzim, sepse mendoj se diçka të mirë kam bërë.

(Intervistoi: Eduard Ilnica)

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Speciale/Intervista me Ylli Shehun

“Babai me Dinamon, unë zgjodha Partizanin”