MENU
klinika

Piktura bashkëkohore

Ellen Frank ambasadore për kulturën shqiptare

25.10.2018 - 14:47

Më 23 tetor Ellen Frank pas projektit të saj “Cities of Peace” është rikthyer në Prishtinë për të zhvilluar projektin “The Honor City Gratitude”.
Ky projekt, ‘Prishtina: Qyteti i Nderit dhe Mirënjohjes’ solli të punuara disa punime përsëri me elemente filigrami me fletë ari përmes së cilave shpërfaqet historia dhe ana kulturore e Prishtinës.

 

10 punime do të implementohen tek faza e dytë e projektit “Cities of Peace” si fazë e parë e saj.

Ato përveç prezantimit në Muzeun e Kosovës do të ekspozohen edhe në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Zyrën e Presidentit, Zyrën e MKRS-së, Zyrën e Ministrisë së Arsimit, MPJ-së dhe do të mundohen të japin një pasqyrë identitare në kulturën e Kosovës.

Sipas Ministrit të Kulturës Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, “Kjo është një përmbushje e punës së mrekullueshme që është bërë në kuadër të projektit që do ta rendisë Prishtinën në mesin e qyteteve të botës që bëjnë rrugën për ndërtimin e rrugës së paqes.’’

Gjatë kësaj periudhe nga menaxhmenti i Muzeut jemi njoftuar vazhdimisht për zhvillimin e punëve dhe në cilësinë e Ministrisë së Kulturës dua t’ju përgëzoj të gjithëve që keni qenë të angazhuar në projekt”, u shpreh ai sipas kultplus.

Autorja Ellen Frank në përurim ishte mjaft mirënjohëse ndaj të gjithë atyre që morën pjesë në realizimin e pikturave duke përfshirë këtu studentët, fëmijët, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, artistët, edukatorët e të tjerët.

“Dua t’ju them faleminderit që keni ardhur. Kjo ekspozitë nuk është për mua por është për ju pasi që është bërë posaçërisht nga ju dhe sonte jam e nderuar me punën e studentëve dhe të gjithë pjesëmarrësve që e kanë lënë zemrën e tyre në këtë punë, duke punuar me shumë dashuri”, u shpreh ajo për mediat.

Ky projekt është shumë i rëndësishëm për shqiptarët pasi bashkon identitetin kulturor, ku bën pjesë dhe e shkuara historike e Kosovës në historinë dhe kulturën e qyteteve botërore që kanë vuajtur nga konfliktet dhe traumat.

Gjithashtu projekte të tilla u jepin rëndësi të madhe kulturës së qyteteve të cilat duhet të jenë në qendër të vëmendjes për të ngritur një imazh më pozitiv për kulturën.