MENU
klinika

Negociatat e Brexit

Gadishulli i Gjibraltarit, ‘mollë sherri’ mes Spanjës e Britanisë

13.10.2018 - 10:06

Britania e Madhe është në ditët e fundit të negociatave të saj me Spanjën mbi territorin e Gjibraltarit, një çështje për të cilën ata duhet të arrijnë një kompromis për një marrëveshje të përgjithshme të Brexit që do të përfundohet.

Por bisedimet janë penguar nga mosmarrëveshjet e minutës së fundit lidhur me evazionin fiskal, kontrabandën e cigareve dhe kufirin.

Sekretari i shtetit i Spanjës për Europën, Marco Aguiriano, tha javën e kaluar se negociatat ishin “95 për qind të vendosura”, ndërsa David Lidington, zëvendëskryeministri i  Britanisë tha se të dy palët ishin “pothuajse gati “.

Por njerëzit pranë tyre thonë se ende duhet të bëhen përparime në disa çështje që janë në zemër të mosmarrëveshjes shekullore mbi territorin, i cili i kaloi Britanisë me Traktatin e Utrehtit të 1713, por që Spanja e quan pjesë të  vetën.

Mosmarrëveshja e pazgjidhur lidhur me kufirin e Irlandës është vetëm një nga  problemet me kufirin tokësor që paraqesin rrezik për negociatat e Brexit.

Por çështja e Gjibraltarit është shumë më e mundimshme, përpara një takimi të rëndësishëm të Brexit javën e ardhshme.

“Shqetësimi im është që në minutën e fundit do të ketë një shpërthim në tensionet mbi Gjibraltar”, tha Clare Moody, një anëtare britanike e Parlamentit Europian. “Ne duhet të sigurohemi që do të ketë një marrëveshje , dhe një të mire madje”

Britania këmbëngul se Gjibraltari duhet të largohet nga blloku me të njëjtat kushte si Mbretëria e Bashkuar.

Madrid ka thënë se kërkon një menaxhim të përbashkët të aeroportit të Gjibraltarit.

Josep Borrell, ministri i jashtëm spanjoll, tha muajin e kaluar se ai do të përdorë negociatat e Brexit për të patur përfitime për popullin, për Spanjën dhe për spanjollët që punojnë në Gjibraltar”.

Duhet arritur gjithashtu marrëveshje me Londrën për çështjet e mjedisit, ligjet tatimore dhe tregtinë e produkteve të duhanit në atë territor britanik.

“Ne kemi nevojë për një marrëveshje në Gjibraltar deri në fund të tetorit”, u tha kryeministri Pedro Sanchez gazetarëve në një samit informal të BE në Salzburg.

Gjibraltari nuk është pjesë e bashkimit doganor të BE, por kompanitë janë të shqetësuar se regjimi kufitar mund të bëhet më i ngurtë pas Brexit. Kjo mund të dëmtojë ekonominë e këtij territori që varet nga punëtorët që kalojnë kufirin me Spanjën.

Bisedimet dypalëshe midis Londrës dhe Madridit në Gjibraltar janë mbajtur që nga fillimi i vitit dhe zyrtarët e dy vendeve kanë mbajtur deri tani gjashtë takime.