MENU
klinika

Ekspozita personale

Gazmend Leka: Nuk do të rresht së luturi

05.10.2018 - 17:53

Lutja, e ka titulluar Gazmend Leka ekspozitën personale në Galerinë FAB, e cila për publikun erdhi me një perceptim energjik ku ndjeheshin lëvizje, metafora dhe metafizikë.

Eruditi Leka, zgjedh pantomimën për të përçuar aktin suprem të lutjes duke çliruar në këtë mënyrë gjithë energjinë e tij. Pjesa më e madhe e veprave vërtitet rreth studios së tij. Por e veçanta e kësaj here ishin ngjyrat në karakterin mort të pikturës që karakterizon artistin e madh.

“E ndërtova studion time shumë konkrete, është shprehur ai. E bëra këtë pa gravitet, ku të gjitha objektet ngrihen nga toka për të lëshuar hijen e tyre në dysheme. Në këtë mënyrë gjithë fokusi i tyre është një pikturë e vogël, e bardhë e cila pret të pikturohet”.

Ekspozitë e kësaj natyre me përmasë filozofike, kërkon minimalisht tre orë për t’u parë. Leka në autoportetet e tij, na tregoi se ka zgjedhur formën më të vështirë të të ndjerit dhe kuptuarit duke ardhur përmes aktit të dorëzimit. Ai nuk ka frikë ta bëjë këtë! Madje nuk ka frikë as të mendojë për vdekjen. Në një prej tablove, profesori nuk ngurron të vetësakrifikohet duke u zhvendosur brenda një arkivoli.

“Një artist kur krijon, ose unë kur pikturoj vdes çdo ditë nga pak. Tani që i shoh pikturat jam tërësisht i dorëzuar ndaj një force të brendshme, e cila është më e fortë se lëkura ime”, citoi ai.

Kuratori ekspozitës, Ermir Hoxha sa i takon veprës së Lekës ka shkruar për konceptin e Heshtjes dhe Lutjes kështu: “Ne të gjithë lutemi. Lutemi për shëndetin e trupit e më së shumti, lutemi për shëndetin e shpirtit. LUTJA është një akt i gjatë që kryhet në vetmi të plotë. Në shurdhërinë e hapësirës, si për të gjithë ne, ashtu dhe për artistin, ajo është kredhja në një dimension tejet personal, ku rregullat dhe arsyeja tokësore bëhen të pafuqishme e përthyhen. LUTJA është akti përgatitor para kryerjes së një riti antik, që ndoshta zë fill që nga muret e errëta të shpellave prehistorike. LUTJA është akti i murgjve, para pikturimit të ikonave, për t’i bekuar ato me frymë krijimi.

LUTJA është një akt i thellë shpirtëror, para se të ngjizet vepra. Është shpërthim që paraprin mpiksjen e imazhit mbi sipërfaqen e bardhë sterile. Penelat, telajot, tavoloci i stërmunduar… të gjitha janë aty, gati për t’u sakrifikuar. Ta flasësh e ta përflasësh atë, është gjithnjë e vështirë. Pavarësisht bisedave të gjata me artistin, në momentin fundor, logjika të bën të kuptosh, që ajo është një territor metafizik, që nuk duhet prekur, por si pa kuptuar, ajo bëhet e vërtetë për të gjithë ne”.

“LUTJA” e Gazmend Lekës do të qëndrojë e hapur deri më 31 tetor. Ku i dihet, nga një puthje dhe ekspozitë thuhet se të ndryshon jeta.
Është rasti.

Ilnisa Agolli