Të rinjtë e Vllaznisë janë mundur në Kazakistan nga Astana U-19, me rezultatin 3-1, në kuadër të Eliminatoreve të Champions League për të rinj, që njihet me emrin “UEFA Youth League”.
Ky është viti i dytë radhazi që shkodranët marrin pjesë në Ligën e Kampionëve, megjithëse nuk po arrijnë të lënë gjurmë. Pjesa e parë është mbyllur me avantazhin e dy golave nga vendësit e Astanës.
Shënues i të dy golave ka qenë Prokopenko, i cili në harkun kohor të 8 minutave ka ndëshkuar Vllazninë. Në minutën e 2-të ka kthyer në gol një penallti dhe 8 minuta më vonë ka shënuar edhe të dytin.
Ndërsa në pjesën e dytë, Zhakipbayev ka trefishuar për vendasit. Dy episode në fundin e ndeshjes. Lekaj merr kartonin e dytë të verdhë për tanët dhe lë skuadrën me 10 lojtarë, por kjo ka qenë ogur i mirë, pasi në sekondat e fundit Qardaku ka shënuar golin e nderit dhe Vllaznia ka një shans në kthim, më 24 tetor në Shkodër.