MENU
klinika

Mos i bëni këto veprime!

I mbani këmbët njëra mbi tjetrën? Kërcënoheni nga…

04.10.2018 - 16:24

Ky term i referohet gjendjes kur indet mbushen me një sasi të tepërt likidi.

Edema mund të shkaktohet nga një sërë problemesh të cilat ndodhin në pjesë të ndryshme të organizmit tonë i cili ndodhet nën efektin e forcës së gravitetit.

Ajo mund të fillojë në këmbë dhe nëse është e theksuar mund të përfshijë gjithë ekstremitetet e poshtme. Në raste më të rënda mund të përfshijë edhe barkun.

Edema mund të ndodhë në këmbë si rezultat i insufiçiensës renale, pra kur veshkat nuk funksionojnë normalisht, insufiçiensës së mëlçisë, koagulave të gjakut në venat e ekstremiteteve të poshtme dhe infeksioneve lokale në këto ekstremitete.

Nganjëherë, një edemë e lehtë në këmbë mund të shkaktohet nga një qëndrim i gjatë i ulur në karrige, sikurse ndodh gjatë udhëtimeve të gjata me avion.

Mund të ndodhë edhe në rastet kur i vendos këmbët njëra mbi tjetrën dhe i mban kështu për një kohë të gjatë. Në rastet kur edema përfshin edhe mushkëritë, shkaktohet nga insufiçiensa kardiake.

Mushkëritë kthehen në edematoze dhe kjo është gjendja tipike që shkakton vështirësinë në frymëmarrje e shoqëruar me sëmundjet kardiake.

Edema e shkaktuar nga sëmundja kardiake mund të fillojë fillimisht si një edemë e këmbëve. Trajtimi përfshin ilaçe që shtojnë diurezën, pra sasinë e urinës, duke rritur eliminimin e likideve nëpërmjet veshkave.

Insufiçiensa kardiake mund të trajtohet gjithashtu me preparate të cilat dilatojnë apo zgjerojnë enët e gjakut, ose me ilaçe të tjera sikurse digitalikët (quhet ndryshe edhe digoksin apo lanoksin), të cilët kanë një seri efektesh, por që në mënyrë të veçantë rrisin kontraktimin e zemrës, duke ulur shkallën e insufiçiensës kardiake dhe njëkohësisht edhe të edemës.

Një formë e rëndë e edemës është anasarka.

Në këtë rast edema përfshin gjithë trupin, duke qenë më e rëndë në këmbë dhe bark, më shumë se në kraharor dhe në fytyrë.

Mund të shkaktohet nga insufiçiensa e rëndë kardiake. Mund të shkaktohet gjithashtu edhe nga probleme të tjera sikurse insufiçiensa e mëlçisë apo e veshkave.

Në disa forma të rënda të anasarkës, pacienti mund të akumulojë sasi të mëdha likidi në bark i cili quhet ascit. Kur edema, anasarka dhe asciti, shkaktohen nga sëmundjet kardiake, në këto raste rezulton që zemra nuk është më e aftë të pompojë sasinë e duhur të gjakut.

Si rrjedhojë, gjaku kthehet prapa, presioni i tij në mushkëri rritet dhe si rrjedhojë gjaku mbetet në mëlçi. Kjo shkakton që likidi të kalojë nga enët e gjakut nëpër indet përreth.

Pleurat janë membrana të holla të cilat veshin nga brenda mushkëritë dhe kafazin e kraharorit. Normalisht, pleura e kavitetit të kraharorit është në kontakt me pleurën e pulmoneve.

Likidi në pleura shkaktohet nga dalja e likidit nga enët e gjakut ose enëve limfatikë në kavitetin pleural, pra në hapësirën midis këtyre dy membranave, si rrjedhojë ky likid është një akumulim jo normal në këtë kavitet.

Duhet kuptuar që ky likid i tepërt nuk akumulohet brenda mushkërive. Ndonjëherë mund të akumulohen sasi të mëdha likidi, që mund të shkojnë në disa litra.

Kur një sasi e madhe likidi akumulohet në pleurën e majtë ose të djathtë, interferon me funksionin e vetë mushkërive të cilat në këto kushte nuk zgjerohen dhe nuk hapen normalisht gjatë aktit të frymëmarrjes dhe kjo mund të shkaktojë vështirësi në frymëmarrje.

Ky likid mund të jetë i pastër ose mund të ketë një ngjyrë të verdhë.

Në shumicën e rasteve është shumë i ngjashëm me serumin ose plazmën e gjakut, pa qelizat e kuqe të tij.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN