Vijon momenti i keq për Kombëtaren Gjermane, që ndaj Francës, në “Parc des Princes” pësoi një humbje me përmbysje (2-1), e cila mund të ketë pasoja të rënda për të ardhmen.
Tani skuadra që drejtohet nga Joakim Low është shumë pranë rënies në Ligën B. Për ta evituar këtë skenar, “Die Mannschaft” duhet të fitojnë me Holandën në muajin nëntor në takimin e fundit të tyre në Grupin A të Nations League dhe të shpresojnë të “Tulipanët” të mos fitojnë në sfidën me Francën.
Rënia, nëse u referohesh paraqitjeve të fundit dhe ecurisë së Gjermanisë gjatë 2018-ës, nuk mund të jetë thjesht një mirazh. Numrat janë të pakundërshtueshëm dhe tregojnë shumë. Për herë të parë në historinë e saj, përfaqësuesja teutone ka humbur gjashtë ndeshje brenda një viti kalendarik.
Disfata me Francën regjistroi një tjetër rekord negativ për “armatën” e Low: për herë të parë që nga viti 2000, Gjermania ka humbur në 2 ndeshje zyrtare radhazi. Një vit vërtet për t’u harruar, teksa mbetet i freskët zhgënjimi në “Rusi 2018”, ku Gjermania u eliminua në fazën e grupeve. Të dhënat vënë me shpatulla pas muri trajnerin Low.
Në 11 ndeshje të luajtura gjatë 2018-ës, “Pancerat” kanë marrë 3 fitore (me Perunë, Suedinë dhe Arabinë Saudite), 2 barazime dhe 6 humbje. Kanë shënuar 8 gola, por kanë pësuar 12.
Në këto 11 ndeshjet e luajtura për vitin 2018, Gjermania e ka mbajtur vetëm një herë portën e vet të pastër: në barazimin 0-0 me Francën, në shtator. Herën e fundit, kur Gjermania kishte një përqindje më të keqe të “portës së pastër” (pa pësuar gol) ndodhi në vitin 1964.
Kjo situatë mund të përmirësohet (ose të bëhet më keq) për Gjermaninë muajin e ardhshëm, pasi skuadra e Low-it ka një miqësore me Rusinë më 15 nëntor, e cila do të pasohet me sfidën e Ligës së Kombeve kundër Holandës, katër ditë më vonë. Në varësi të rezultateve në nëntor, “Die Mannschaft” mund të largohet nga Liga e Kombeve A. Po Low? (Analiza sipas Supersport)