Për herë të parë pas 13 vjetësh, numri i bankave në tregun shqiptar është zvogëluar. Këtë javë, është finalizuar plotësisht bashkimi përmes përthithjes i Veneto Banka, nga banka tjetër me kapital italian, Intesa Sanpaolo Bank Albania. Tashmë, edhe zyrtarisht sistemi ka vetëm 15 banka.
“Qëllimi ynë kryesor ishte të realizonim këtë bashkim në mënyrë të lehtë e efektive, duke u siguruar që klientët të mos përballeshin me asnjë vështirësi gjatë këtij procesi; ne mund të konfirmojmë tani përfundimin e suksesshëm të të gjithë operacioneve. Kjo blerje rrit praninë e Intesa Sanpaolo në tregun shqiptar dhe sjell një vlerë të shtuar për klientët,” tha Silvio Pedrazzi, drejtor i përgjithshëm ekzekutiv i Intesa Sanpaolo Bank Albania.
Pas përthithjes së Veneto Banka, Intesa Sanpaolo zotëron një total asetesh prej 177 miliardë lekësh ose 12.3% të tregut bankar në Shqipëri. Pjesa dërrmuese e degëve të Veneto janë mbyllur më herët gjatë këtij viti, ndërsa bashkimi solli edhe një shkurtim të ndjeshëm të numrit të punonjësve.
Vitin e kaluar, grupi bankar italian Veneto Banca ishte në prag të falimentit dhe një pjesë e aseteve, përfshi filialin në Shqipëri, u blenë për shumën simbolike 1 euro nga grupi Intesa Sanpaolo. Edhe vetë filiali shqiptar, Veneto Banka, në dy vitet e fundit kishte pësuar humbje të rënda në rreth 4.5 miliardë lekë. Mbijetesa e bankës u mundësua falë disa kapitalizimeve të njëpasnjëshme gjatë vitit 2017.