Natën e fitores së Napolit ndaj Liverpool në ndeshjen e Champions League, sulmuesi polak Arkadius Milik është grabitur teksa po shkonte në shtëpi. Ai ka treguar versionin e tij të grabitjes me armë që iu bë para banesës në Napoli.
“Askush nuk më vuri pistoletën në kokë, Napoli është një qytet normal, por janë shumë të kujdesshëm ndaj orëve të dorës dhe bizhuterive. Ndoshta kjo është arsyeja që napolitanët vetë nuk i tregojnë.
Në atë rast nuk prisja probleme, kisha orën në dorë dhe nuk isha në Napoli, isha pranë banesës time. Nuk e prisja të më ndodhte. Pastaj pas grabitjes mora dhjetëra mesazhe në Instagram ku më pyetnin se sa ishte ora”, – ishte batuta e sulmuesit të Napolit, që me sa duket, e ka përjetuar me humor atë që i ka ndodhur.
Milik kishte dëgjuar se një gjë e ngjashme kishte ndodhur edhe më parë në klubin tij. “Hamsik i kishte ndodhur dy herë. Herën e parë ia kthyen çfarë i kishin marrë. Herën e dytë jo. Me sa duket kishte 50% mundësi që të ndodhte”, – tha sulmuesi duke qeshur.