Sot do të mbahet një ceremoni lamtumire në Prishtinë për fotografin e luftës dhe paqes në Kosovë, Willem Poelstra, e organizuar nga miqtë e tij në Kosovë.
Poelstra lindi në vitin 1956 dhe u nda nga jeta më 13 Tetor 2018.
Karriera e Poelstrës në fotografi erdhi si pasojë e një kthese të fatit. Në vitin 2000 ai ra nga ballkoni i shtëpisë së tij dhe e theu shpinën në tre vende.
Një ditë ai pa një dokumentar rreth një fotografi të njohur indian, Raghu Rai, i cili e frymëzoi atë për të ndjekur fotografinë.
“Mu duk shumë e bukur mënyra se si ai punonte dhe mendova se ndoshta duhet ta bëja edhe unë këtë gjë”, kujton Poelstra për Kosovo 2.0. “Po të njëjtën ditë, pasdite, unë kontrollova gjithçka në internet dhe e regjistrova veten në një lloj kursi prove, që ndodhi tre muaj më vonë, për të parë nëse isha mjaft i talentuar”.
Në vitin 2005 u diplomua me një diplomë ‘Bachelor’ nga Akademia e Fotografisë në Amsterdam me serinë e tij të parë të fotografive, në Ambulancën e Amsterdamit.
Në vitin 2016, pas pesë vitesh punë duke dokumentuar historitë e kosovarëve, Willem Poelstra u kthye në Kosovë për të ekspozuar punën e tij të fotografisë. Në projektin e tij “For Hanna, Future Stories from the Past “, e cila u ekspozua në qendër të Prishtinës, fotografi dokumentar hollandez përshkroi ndikimin e luftës së Kosovës në jetën e qytetarëve të zakonshëm.
Portretet bardhë e zi të shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës, të cilët në një mënyrë ose në një tjetër janë viktima të luftës tërhoqën vëmendjen e shumë kalimtarëve në sheshin Skënderbej të Prishtinës gjatë 10 ditëve të vjeshtës (7-16 tetor).
Portretet ishin imazhe bardhë e zi që përshkruanin ngjarje të njohura nga e shkuara e afërt e Kosovës, siç janë protesta dhe ditët e zgjedhjeve.
Serija, e paraqitur në revista të ndryshme, u botua në formë libri në vitin 2008 nga Schilt Publishing, e ndjekur nga një ekspozitë personale në Galerinë Melkweg në Amsterdam.
“Willem ishte një fotograf dokumentar që ia kushtoi jetën e tij profesionale luftës kundër paragjykimeve dhe ndërtimin e urave ndërmjet komuniteteve. Ai ishte një vizitor i rregullt i Kosovës dhe librin “For Hanna, Future Stories from the Past” ia kushtoi nënës së tij. Tejkalimi i vështirësive dhe paragjykimeve ishin karakteristikat kryesore në jetën e tij personale dhe profesionale.
Një talent unik për imazhet e kombinuara me sfondin e tij e bëri atë një “tregimtar të fuqishëm historish”. Dy vjet më parë, në tetor 2016, foto nga libri i tij u paraqitën në një ekspozitë të mirëpritur në Prishtinë”, shkruan nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’, Ambasada Hollandeze në Kosovë.
“Kjo ceremoni lamtumire do të zhvillohet në orën 17:30-19:30 në Kino Armata. Jeni të mirëpritur të bashkoheni, do të jeni të vlerësuar nëqoftëse sillni një lule me vete”, shprehet Ambasada Hollandeze në Kosovë.