MENU
klinika

Njohja e Pavarësisë së Kosovës

Presidenca boshnjake: Nuk ndryshojmë qëndrim për Kosovën

12.10.2018 - 17:44

I sapozgjedhuri në presidencën tripalëshe të Bosnje Hercegovinës, Sefik Xhaferoviç nga Partia për Aksion Demokratik, është shprehur se pa pasur një konsensus të të gjithë anëtarëve të presidencës, Bosnja nuk mund të ndryshojë qëndrim sa i përket njohjes së Kosovës.

“Bosnjë dhe Hercegovina e ka qëndrimin zyrtar kur është në pyetje kjo çështje, i cili thotë se për çfarëdo vendimi është i nevojshëm konsensusi i të gjithë anëtarëve të Presidencës, dhe këtë konsensus në këtë moment nuk e kemi dhe kështu do të jetë derisa nuk ndryshojnë gjërat” ka thënë Xhaferoviç.

Megjithatë,presidenti i përkohshëm Xhaferoviç, kandidati që mori më së shumti vota në zgjedhjet e fundit në Bosnje, ka thënë se Kosova dhe Bosnja duhet të kenë nivelin e bashkëpunimit të paktën siç e ka sot Serbia me Kosovën.

“ Unë mendoj se Bosnje dhe Hercegovina dhe Kosova duhet të ketë nivelin e bashkëpunimit, të paktën siç e ka sot Republika e Serbisë me Kosovën. Sepse ne me Kosovën jemi në nivel më të ulët bashkëpunimi se që është Serbia. Më shumë ka liri të lëvizjes së mallrave, kapitalit dhe njerëzve mes Kosovës dhe Serbisë sesa mes Kosovës dhe Bosnjës, dhe kjo për shkak se nuk ekziston gatishmëria nga ana e politikanëve të Republikës Serbe që kjo situatë të përmirësohet”.

“Unë mendoj se këto raporte duhet të ndërtohen mes Bosnjës dhe Kosovës në interes të të dyja vendeve, edhe përkundër qëndrimit politik kur është fjala për njohjen e Kosovës” ka thënë Xhaferoviç.

Në zgjedhjet e 7 tetorit në Bosnje, përveç kandidatit boshnjak Sefik Xhaferoviç, një vend në presidencën tripalëshe e ka fituar edhe nacionalisti nga Repubika Serbe Millorad Dodik, i cili njihet për raporte të afërta me Rusinë dhe Vuçiçin.

Anëtari i tretë është zgjedhur social-demokrati Zheljko Komshiç, që ka shërbyer dy mandate në presidencë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN