MENU
klinika

Një kushtetutë e re?

Samiti i Sirisë/ Çfarë kërkon Gjermania?

27.10.2018 - 13:31

Udhëheqësit turq, rusë, francezë dhe gjermanë do të mblidhen në Stamboll për të diskutuar të ardhmen e Sirisë në fundjavë. Gjermania ka objektiva të qarta, dhe ka për të ofruar më shumë sesa mund të mendoni.

Situata në Siri lë shumë për të dëshiruar në gjithë vendin, jo vetëm në veri. Situata është veçanërisht e vështirë në rajonin e Idlibit, i cili është nën kontrollin e grupeve xhihadiste. Qeveria siriane, me mbështetjen e Rusisë dhe Iranit, po shqyrton idenë për një ofensivë kundër rebelëve në rajon. Deri më tani, Assad dhe aleatët e tij kanë ndalur operacionin ushtarak që mund të shkaktojë shumë viktima civile.

E gjithë situata do të jetë çështja kryesore e samitit ndërkombëtar të Sirisë. Pjesëmarrësit janë udhëheqësit e Turqisë, Rusisë, Francës dhe Gjermanisë. Pritet që diskutimet të përqëndrohen gjithashtu në planin për një kushtetutë të re për Sirinë, ose në formimin e një asambleje për ta hartuar një të tillë.

Gjatë takimit, Gjermania ka të ngjarë të përqendrohet në çështjen e refugjatëve.

Kristian Brakel, drejtor i Fondacionit Heinrich Böll në Stamboll , i tha Deutche Welle: “Së bashku me Turqinë, Gjermania dëshiron të sigurohet që sirianët të mos zhvendosen më në Turqinë fqinje, pasi Turqia strehon më shumë se 3 milionë refugjatë sirianë. Për këtë arsye, Turqia dhe, në mënyrë indirekte, edhe Gjermania tashmë janë tepër të shqetësuara nga një ofensivë e mundshme ushtarake që synonte Idlibin. ”

“Në Gjermani, çështja e refugjatëve jo vetëm që luajti një rol të konsiderueshëm në zgjedhjet e përgjithshme të shtatorit 2017, por vazhdon të jetë një faktor me ndikim edhe në zgjedhjet rajonale”, shtoi Brakel.

Lidhur indirekt me debatin mbi Idlibin është çështja e një kushtetute të re. Në shtator, shtatë vende perëndimore dhe arabe, përfshirë Gjermaninë, i bënë thirrje Kombeve të Bashkuara të nisin një projekt-kushtetutë sa më shpejt që të jetë e mundur.

Deklarata bëri thirrje për krijimin e një komiteti me përfaqësues nga të gjitha anët në konflikt. Deri tani, qeveria siriane ka hedhur poshtë thirrjet për hartimin e kushtetutës.

Aleatja kryesore e Sirisë, Rusia gjithashtu mbron idenë se kushtetuta e re duhet hartuar nga vetë sirianët. Por eksperti rus i Lindjes së Mesme, Taimour Dwidar beson se Moska mund të jetë e gatshme të bëjë kompromis.

“Rusia po mbështetet tek Gjermania financiarisht dhe kërkon të bindë ndoshta aleatët perëndimorë që të ndjekin shembullin” tha Kristian Brakel.

Është e qartë që qeveria siriane ka nevojë për ndihmën e aleatëve të saj. Konflikti jo vetëm që ka dëmtuar pavarësinë ushtarake të regjimit të presidentit Bashar Assad, por i ka kushtuar edhe autonominë politike gjithashtu.