MENU

Guvernatori garanton kontroll

Sejko: Bashkimi i bankave e bën sistemin më të fortë

04.10.2018 - 15:17

Përqendrimi do ta bëjë më të fortë sistemin bankar shqiptar. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha të mërkurën se shitja e bankave është një fenomen që po ndodh në gjithë rajonin.

Pas krizës, shumë nga bankat evropiane, kryesisht ato që operojnë në Eurozonë dhe që kanë filialet e tyre në vendet e lindjes, si pasojë e kushteve shtrënguese të Bankës Qendrore Evropiane, kanë qenë të detyruara ose  të rrisin kapitalin, ose të vazhdojnë me procesin e zvogëlimit, pra të mbylljes të disa degëve ose filialeve të tyre në disa shtete. Në mungesë të injektimit ose të gjetjes të kapitalit për të shtuar normën e mjaftueshmërisë së kapitalit, këto banka janë detyruar të tërhiqen nga rajoni.

“Si rregullator të sistemit financiar, ne kemi synuar që ky proces të shoqërohej me konsolidimin e sistemit bankar dhe në njëfarë mënyre ka dhënë rezultat pozitiv, pasi sot kemi dy banka të përthithura nga banka ekzistuese. Pra, në total ne sot kemi 14 banka, kundrejt 16 bankave që kishim më parë. Ky është një tregues pozitiv për  sistemin tonë bankar e financiar,” tha Sejko.

Ai theksoi se banka qendrore nuk ndërhyjmë në procesin e shitblerjes së aksioneve të bankave dhe ai është një proces i lirë, ku vetë bankat zgjedhin procesin e tyre të tenderimit për të gjetur blerësin më të mirë.

“Ajo që unë garantoj në emër të Bankës së Shqipërisë është që në momentin e aplikimit dhe të paraqitjes së kërkesës në Bankën e Shqipërisë për ndryshimin e aksionerëve, ne do të respektojmë strikt kërkesat ligjore të rregulloreve tona, sikurse kemi bërë gjithmonë në drejtim të ruajtjes së sigurisë dhe stabilitetit financiar. E theksoj edhe një herë që, në këtë kontekst, çdo gjë është e monitoruar dhe e kontrolluar; nuk kemi asnjë surprizë,” tha Guvernatori.

Në dy vitet e fundit, janë finalizuar dy shitje të bankave brenda sistemit, ku Intesa Sanpaolo bleu Veneto banka, ndërsa ABI Bank bleu NBG Bank. Në muajin gusht, edhe Tirana Bank  njoftoi arritjen e marrëveshjes për shitjen e aksioneve te konsorciumi i përbërë nga grupi Balfin dhe banka maqedonase Komercijalna Banka. Megjithatë, ky operacion ende duhet të miratohet nga Autoriteti i Konkurrencës dhe Banka e Shqipërisë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Tani janë zyrtarisht 15

Numri i bankave ulet pas 13 vjetësh