Depozitat u rritën edhe gjatë muajit shtator. Sipas Bankës së Shqipërisë, për një muaj depozitat u zgjeruan me 4 miliardë lekë ose rreth 30 milionë euro. Totali i depozitave bankare ka vlerën e 985 miliardë lekëve ose rreth 7.9 miliardë eurove.
Këtë vit, rritja e depozitave bankare nisi vetëm pas muajit qershor, që përkon edhe me nisjen e sezonit turistik. Këtë vit, ky sezon duket të jetë zgjatur, siç është provuar edhe nga shifrat e hyrjeve të shtetasve. Zgjatja e sezonit duket të ketë dhënë ndikimin e vet edhe në ecurinë e depozitave bankare. Kjo hipotezë mbështetet edhe më shumë nga fakti që rritja e depozitave ka ardhur pothuajse e gjitha në valutë të huaj.
Depozitat në valutë të huaj, kryesisht në euro, kishin në fund të shtatorit vlerën ekuivalente të 531 miliardë lekëve. Tendenca e euroizimit të sistemit financiar në krahun e detyrimeve të bilancit po bëhet gjithnjë e më e theksuar. Depozitat në euro përbëjnë pothuajse 54% të totalit, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë.
Rritja e peshës së eurove në depozita e bën më të vështirë procesin e synuar të deeuroizimit të sistemit financiar, të ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë.